Nga muaji gusht qytetarët që nuk paguajnë faturat mujore të energjisë elektrike, do të gjobiten nga Kompania Kosovare e Distribuimit të Energjisë.
Kjo pasi të enjten ka hyrë në fuqi vendimi për tarifën prej 17.70 eurosh që përdoruesit duhet ta paguajnë në rast se shkyçen nga rrjeti elektrik.
Ky vendim do të implementohet në rastet kur nuk paguhen faturat mujore në afatin e caktuar.
Nga KEDS thonë se me këtë vetëm po respektojnë rregulloren e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë.
“Në çdo kompani jo vetëm në Kosovës por kudo në botë, në rajon e implementon një taksë të tillë sepse për KEDS-in është një kosto shtesë që një punëtor i KEDS-it në vend se t’i kryejë detyrat dhe përgjegjësitë e tij ditore të merret me shkyçjen e një konsumatori kushtimisht të papërgjegjshëm që nuk i ka kryer obligimet e pagesës”, tha Lulzim Krasniqi, zëdhënës i KEDS-it.
E një qytetar po kërkon që t’u lehtësohen shërbimet e energjisë elektrike, dhe jo të aplikohen masa të tilla ndëshkuese.
“Nuk është mirë me i sanksionu qytetarët duhet me përdorë metoda tjera lehtësuese sepse të hyrat mujore te disa varen nga pensionet, prej të ardhurave tjera nuk kanë për momentin dhe ato nuk mbesin borxh asnjë”, tha Ibrahim Hajdari.
Këtë po e kundërshton edhe kryetari i Komisionit për Ekonomi, Ferat Shala i cili akuzon Qeverinë se po keqpërdor me institucionet publike.
Ai thotë se një vendim i tillë është i papranueshëm për qytetarët dhe se ua rëndon edhe jetën atyre.
“Definitivisht ne do ta shtrojmë këtë shqetësim dhe megjithëse prapë po them se zëri opozitar në këtë punë nuk ka munguar që nga themelimi i kësaj Qeverie për që politikat e saj në sektorin juridik kanë qenë dhe do të mbeten jashtëzakonisht të dyshimta dhe të disfavorshme për ekonominë e vendit dhe veçanërisht për ekonominë familjare”, u shpreh Shala.
Ndërkohë, vitin e kaluar ka pasur shtrenjtim të energjisë elektrike në Kosovë.