​KEDS dhe Q’art me projekt për fuqizimin e gruas

Kolazhit të ngjyrave të pranverës së hershme, hijeshinë po ia shton edhe arti në shtatë qytete të Kosovës. Shumë trafostacione janë duke u transformuar në vepra artistike me mesazhin “Bashkë më të forta”. Secili nga këto punime përcjell mesazhin e fuqizimit të gruas në shoqëri, kështu duke i dhënë gjallëri lagjeve ku ato janë të vendosura. Projekti “Art N’trafo” realizohet nga KEDS bashkë me Qendrën për Zhvillimin e Artit – Q’art.

Zëdhënësi i Kompanisë Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike (KEDS), Viktor Buzhala tregon se ky projekt është duke vazhduar dhe do të realizohet gjatë tërë muajit mars, kushtuar të drejtave dhe fuqizimit të gruas.

Buzhala: Jemi duke i ngjyrosur shtatë trafo

“Jemi aktualisht duke i ngjyrosur shtatë trafo, në shtatë qytetet kryesore të Kosovës, secila nga to do të bart një mesazh që ka të bëjë me fuqizimin e rolit të gruas. Diku deri më tani pesë trafo në pesë qytete kanë përfunduar, kanë mbet në Gjakovë edhe në Prishtinë, ku do të përfundojë, do të rrumbullakohet në mënyrë që të përfundojë edhe projekti”, tregon Buzhala.

Ky projekt që i kushtohet fuqizimit të gruas, nuk është i vetmi që po realizon KEDS.

Buzhala: I kemi ngjyrosur 20 trafo

“Ky është një projekt i KEDS-it së bashku me organizatën e artistëve “Q’art”, në mënyrë që këto trafo të japin një mesazh anë e kënd Kosovës, në qendrat kryesore të vendit. Ne e dimë që roli i gruas nuk është ai që do të duhej të ishte. Secili kemi nevojë dhe obligim që të punojmë në atë drejtim që të arrihet barazia dhe sigurisht… Ngjyrosja e trafove nuk është e para që po e bëjmë. Është projekt që të gjitha shpenzimet i heq KEDS-i, ndërsa pjesën artistike e heq organizata e “Q’art”. Edhe projektet tjera më herët, diku i kemi ngjyrosur 20 trafo, kryesisht në Prishtinë, por nuk i kemi lënë anash as qytetet tjera”, shton Buzhala.

Në muralet e punuara në plot vende të Kosovës, inspirimin më të madh e ka figurën femërore në formë të kukullave. Krystel Suire, punon në Kosovë tash e tre vjet dhe i ka lënë vetes emrin artistik “Stern”. Artistja zvicerane, Krystel Suire është pjesë e këtij projekti, ku me artin e saj në Prizren po gjallëron vendin dhe po jep mesazh për fuqizim të gruas.

Suire: Ne e kemi si qëllim të tregojmë fuqinë e grave

“Jemi shumë artistë të ndryshëm që po punojmë me këto trafo. Secili artist ka një qytet edhe ne e kemi si qëllim të tregojmë fuqinë e grave edhe të tregojmë që gratë mund të bëjnë çfarë të duanë në jetë. Me pas edhe pasionet, apo punën si burrat. Ne femrat kemi fuqi shumë. Edhe ky është qëllimi për këto trafo… Unë gjithmonë vizatoj këto cikat dhe janë në ‘aktivitete mashkullore’, si për shembull ajo duke bërë snowboarding, pastaj e kemi një inxhiniere, pastaj kemi një kuzhiniere, një mjeke, pastaj një shofere. Vetëm për të treguar që jemi barabartë dhe nëse e kemi vullnetin mund të bëjmë njëjtë si burrat”, thekson artistja zvicerane.

Edhe në lagjen “Tophane” në Prishtinë, përmes ngjyrave, ky vend po merr jetë. Artistja Renea Begolli i është bashkuar kësaj iniciative, me qëllim të fuqizimit të rolit të gruas në shoqëri.

Begolli: Përpos temës të sjellim pak ngjyrë

“Ideja e fushatës dhe arsyeja pse më ka zgjedh mua ka të bëjë me fuqizimin e grave dhe me shty si tema që i promovojmë këto të drejtat e grave, fuqinë e grave por të njëjtën kohë të ndihmohet pak edhe aspekti të angazhohen gra artiste, kështu që unë jam pjesë e një grupi që është cikël duke vazhduar në të gjithë Kosovën ku gratë janë duke punuar në këto murale. Ideja ime ka qenë që përpos temës të sjellim pak ngjyrë, me pru pak jetë një energji të mirë që vjen duke e realizuar kështu edhe temën që kur kemi ardhur këtu dje ka qenë zymtë mbeturina edhe i gjithë procesi ka qenë t’i japim jetë edhe lagjes duke intervenuar në një hapësire publike por në të njëjtën kohë duke iu bashkëngjit temës që u ngrit gjatë këtij muaji mars që është muaji që flet më shumë për fuqizimin e gruas edhe unë iu kam bashkëngjit kësaj iniciative”, thotë ajo.

KEDS në bashkëpunim me Qendrën për Zhvillimin e Artit-Q’art, kësaj radhe kanë ngjyrosur trafo në shtatë qytete të Kosovës. Projekti ka filluar në Ferizaj dhe më pas edhe Mitrovicë, Gjakovë, Prizren, Pejë, Gjilan dhe Prishtinë.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Elisabeta Imeraj del në KPA, drejtuesja e Prokurorisë së Tiranës kërkon konfirmimin në detyrë

Story i radhës

Këto janë tri tersllëqet më të mëdha në tërë Zodiakun: A jeni edhe ju në këtë listë?

Të fundit nga

AlbanianMacedonianEnglish