Nga edicioni i ri garues 2024/25, njëra nga klubet me historinë më të gjatë dhe me të suksesshme në historinë e basketbollit kosovar, KB Trepça, do të paraqitet me sponsor të ri.
Klubi mitrovicas ka nënshkruar marrëveshje me kompaninë e sigurimeve “Eurosig, me të cilën synojnë suksese të reja në edicionin e ri garues.
Me këtë rast presidenti i klubit të basketbollit “Trepça” Vullnet Sefaja derisa potencoi se i pret një sezon plot sfida në kualifikimin për Ligën e Kampionëve, derisa falënderoi kompaninë “Eurosig” për besimin dhe përkrahjen e vazhdueshme.
Sefaja premtoi se do të japin maksimumin që edhe me ndihmën e bashkëpunëtorëve siç është “Eurosig” të kualifikohen në këtë garë.
Sefaja: Falenderojmë Eurosig-un për besimin dhe përkrahjen
“Mirëseerdhët në nënshkrimin e marrëveshjes mes kompanive ‘Eurosig’ dhe ‘Lajthiza’ dhe klubit basketbollistik ‘Trepça’, për sezonin i cili na pret me plotë sfida, ku për herë të parë në histori të klubit ne e përfaqësojmë klubin tonë së pari dhe shtetin në kualifikime për Ligën e Kampionëve. Unë po shpresoj që do të kemi fat edhe me lojë edhe me lojtarë dhe do të na jepet mundësia të kualifikohemi. Sado që është e vështirë të kualifikohemi në këtë rend të garave, por ne po premtojmë se do të mundohemi të japim maksimumin, për të qenë me një përfaqësim sa më të denjë me ndihmën e bashkëpunëtorëve tonë, sidomos Eurosig-un me të cilët jemi prej vitit 2020…Unë e kisha falënderuar kompaninë ‘Eurosig’ me pronar zotri Kadriun që na kanë besuar neve, na kanë përkrahur neve gjatë tërë këtyre viteve dhe po vazhdojnë të na përkrahin”, theksoi Sefaja.
Ndërkaq, pronari i grupit te “Eurosig”, Kadri Morina vlerësoi lartë angazhimin e Klubit Basketbollistik “Trepça”, për çka tha se është i kënaqur për këtë bashkëpunim.
Morina shprehu besimin se këtë vit ky klub do të na përfaqësojë denjësisht në Euroligë.
Morina: Jam i bindur në suksesin e KB Trepçës
“Ne në Shqipëri shumë e kemi merak futbollin, por ju këtu e kemi basketbollin. Për mua ishte kënaqësi që mora pjesë edhe në ligën ‘Lajthiza’ në Vlorë dhe u befasova me atë lojë të mrekullueshme, me atë performancë të mrekullueshme të ekipit tuaj, të cilët i takojnë djelmoshave të rinj dhe gjithë ekipit të Trepçës, gjithë administratorëve, specialistëve , trajnerit dhe me juve në krye si president dhe si kryesi. Ju e keni justifikuar atë vlerësim që ne e kemi bërë prej katër viteve…E them me plotë gojën që paratë tona nuk kanë shkuar dëm. Kjo është shumë e rëndësishme sepse ndonjëherë edhe mund të hedhësh para kur nuk merr benefit mbrapa. Ajo që ndodhi në Vlorë ishte mrekulli, por edhe ajo që ndodhi në Mitrovicë që tashmë ju jeni shpallur kampion të shtetit të Kosovës dhe besoj që tani ambiciet janë shumë më të larta. Besoj që këtë vit ju do të na përfaqësoni denjësisht në Euroligë“, theksoi Morina.
Nga ana tjetër, pronari i kompanisë “Lajthiza Invest”, Hajri Elezi shprehu kënaqësinë me rastin e pjesëmarrjes në nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje mes KB Trepça dhe kompanisë Eurosig.
Elezi: Kompania ‘Lajthiza’ ka bërë një marrëveshje mes dy federatave të basketbollit
“Është kënaqësi sot të marr pjesë në këtë marrëveshje shumë të rëndësishme mes kompanisë Eurosig dhe ekipit të Trepçës. Kompania ‘Lajthiza’ ka bërë një marrëveshje mes dy federatave të basketbollit. Për ligën unike ‘Lajthiza’ është një aktivitet i përvitshëm që bëhet në basketboll marrin pjesë ekipet e Shqipërisë dhe të Kosovës. “, tha Elezi.
Në kuadër të kësaj ceremonie, presidenti i KB Trepçës Vullnet Sefaja u dhuroi nga një fanelltë pronarëve të të dy kompanive.
Në fund u bë e ditur se shumë shpejtë kompania “Eurosig” do ta hapë pikën e re të saj në veri të qytetit të Mitrovicës.
Ndryshe, klubi i basketbollit Trepça, garon në Superligën e Kosovës në basketboll, Kupën e Kosovës dhe Ligën Unike, por e ka përfaqësuar Kosovën edhe në garat ndërkombëtare. Trepça është një nga klubet më të suksesshme në Kosovë, pasi që deri më tani ka fituar 5 Kampionate Kombëtare, 7 Kupa të Basketbollit të Kosovës dhe një Ligë Unike.
Burimi: botasot.info