Katër sfida për dy verdikte

Egnatia, zyrtarisht vendi i parë, Laçi në play-out, Ezreni dhe Kukësi të rënë nga Kategoria, Partizani dhe Vllaznia në “Final Four”; janë këto qartësitë para javës së fundit të sezonit të rregullt, apo më saktë kampionatit, e megjithatë java e fundit, me të gjitha ndeshjet në program këtë të shtunë, në orën 16:00, ka ende shumë për të thënë, sidomos për sa i përket vendit të fundit në “Final Four”, për të cilin janë në lojë 4 skuadra, por edhe vendit të dytë në klasifikim, që garanton avantazhin e dy rezultateve në sfidën e parë në “Final Four”.

Tirana, aktualisht e pesta me 47 pikë, po aq sa dhe Teuta e Dinamo, shkon në transfertën e kryesuesve të Egnatias. Skuadra rrogozhinase e ka siguruar matematikisht kreun dhe ka para një finale Kupe për të luajtur të martën e ardhshme, e megjithatë suksesi për Tiranën që nuk fiton prej 3 ndeshjesh, mbetet i vështirë.

Veç të tjerash, fati i bardhebluve nuk është në duart e tyre dhe për të kapur vendin në “Final Four” u duhet që, përveçse të fitojnë vetë, të shpresojnë që diçka të tillë të mos e bëjë Skënderbeu, aktualisht në vendin e katërt me një pikë më tepër.

Situatë surreale në Vllaznia – Skënderbeu, skuadra shkodrane ka rrëshqitur në vend të tretë, një pikë pas Partizanit, zyrtarisht në lojë për të kapur vendin e dytë, kuqeblutë gjithsesi e dinë se një fitore e Partizanit shumëzon me zero gjithçka, ndërkohë që me Skënderbeun në “Final Four” (korçarët nuk mund të shkojnë në Europë pasi janë të dënuar), Vllaznia me një humbje do të siguronte matematikisht Europën, terren nga ku ngelet jashtë nëse në një “Final Four” me një skuadër tjetër përveç Skënderbeut, renditet në vendin e katërt.

Të humbasësh apo të fitosh, kjo është çështja, e megjithatë të dyja skuadrat janë në apel për të nderuar garën dhe luftën sportive në përgjigje të aludimeve.

Pretendente serioze për Europën falë një barazimi dhe katër fitoreve në 5 ndeshjet e fundit, tri prej të cilave radhazi, rezultate që e kanë sjellë në kuotë të barabartë pikësh, 47, po aq sa Dinamo dhe Tirana është dhe Teuta.

Pret në “Niko Dovana” në një lloj play offi të vërtetë për “Final Four” pikërisht Dinamon, në atë që pritet të jetë edhe sfida më e nxehtë e kësaj të shtune, me të dyja skuadrat që luajnë gjithë sezonin në një përballje të vetme direkte.

Partizani ndërkohë i duhet të ruajë vendin e dytë, dhe për t’ia dalë i mjafton të fitojë në shtëpi kundër Erzenit pa pasur nevojë të shohin se çdo të bëjë Vllaznia. Mision plotësisht i realizueshëm,  duke pasur parasysh forcën e të kuqve përballë një Erzeni që i ka mbyllur llogaritë me kampionatin.

Ndeshje absolutisht e pavlefshme ndërkohë për verdiktet e kampionatit ajo mes Laçit dhe Kukësit, me të dyja skuadrat që e njohin tanimë fatin e tyre. Për të dyja mund të konsiderohet një lloj testi përgatitor, me Laçin që i duhet të luajë një ndeshje play out-i për të siguruar qëndrimin në elitë, teksa Kukësi do të prezantohet të martën përballë Egnatias, në një finale Kupe që, pavarësisht rënies nga Kategoria, mund t’i sigurojë njëkohësisht një trofe dhe Europën.

Story i mëparshëm

Denoncim në polici për Meritonin dhe Julin? Ja çka thotë vëllai i Eglës

Story i radhës

OKB pritet të votojë mbi një rezolutë që u jep palestinezëve më shumë të drejta

Të fundit nga