Katër persona humbën jetën në një aksident të rëndë trafiku që ndodhi mbrëmë në unazën e Shkupit, në segmentin mes mbikalimit të Vizbegovës dhe nyjës së Mirkovcit, pasi një kamion me targa të Kosovës doli në korsinë e kundërt dhe u përplas frontal me një veturë “BMW”.
Nga MPB njoftojnë se rasti është regjistruar më 21 maj 2026, rreth orës 23:00. Sipas të dhënave, drejtuesi i kamionit “MAN”, 76-vjeçari B.B. nga Kosova, ka humbur kontrollin, ka kaluar mbi gardhin ndarës dhe ka hyrë në kahun e kundërt, ku është përplasur me automjetin e drejtuar nga 51-vjeçari R.V. nga Shkupi.
Pas përplasjes, të dy mjetet janë përfshirë nga flakët dhe janë djegur pothuajse tërësisht. Zjarri është shuar nga zjarrfikësit.
Në vendin e ngjarjes kanë ndërruar jetë drejtuesi i veturës dhe dy pasagjerë të rinj, ndërsa një viktimë tjetër ende nuk është identifikuar. Vdekjen e ka konstatuar ekipi i urgjencës, ndërsa trupat janë dërguar për obduksion me urdhër të prokurorit.
Shoferi i kamionit është ndaluar nga policia dhe ndaj tij pritet procedurë përkatëse pas përfundimit të hetimeve. Për shkak të ekspertizës në terren, trafiku në këtë pjesë ka qenë i devijuar deri në orët e mëngjesit./ALSAT
Burimi: lajmpress.org


