“Qafa”, njëra ndër lagjet më të frekuentuara në Prishtinë, ishte zgjedhja ideale për hapjen e bizneseve. Por, katër pronarët e tyre ndryshuan mendje për këtë gjë, kur këtu filluan problemet me energji elektrike.
Vetëm javën e kaluar, për tri ditë rresht, ata u ballafaquan me mungesën e saj.
Ata ankohen se po e pësojnë shumë nga mungesa e rrymës dhe ngrenë dyshime se kjo prishje e shpeshtë mund të jetë e qëllimshme.
Trafoja e vogël që i furnizon ata me energji elektrike është shndërruar në një minikontejner që jo rrallëherë është bërë strehë për përdoruesit e substancave narkotike dhe të pastrehët.
“Me rrymë, qysh e patë edhe ju gjendjen nalt, gjendja është horror prej maskarallakut, prej bërllokut. E kemi lajmëru KEDS-in që dy ditë, prej të hanës ka pasë prishje, thanë që e kanë rregullu. Deri të martën në mëngjes ka ardhë në ora 11:00, deri sot, d.m.th., sot është e mërkurë, në ora 11:00, apet është ndalë. Sot, katër biznese s’kemi rrymë, tjerat, gjitha kanë”, tha pronari i njërit nga bizneset, Ylber Ajvazi.
Problemet që ata thonë se i kanë nuk mund t’i zgjidhin as përmes energjisë alternative apo përdorimit të ndonjë gjeneratori.