Mesditën e kësaj të hëne u zhvilluan të gjitha sfidat e vlefshme për javën e 10-të të Kategorisë së Parë, të futbollit tonë, ku në 6 përballjet e zhvilluara u shënuan në total plot 15 gola, ku nuk munguan as fitoret me goleadë.
Kështu, AF Elbasani triumfoi me “poker” transertën e Luzit të Kavajës, duke i mundur këta të fundit, me rezultatin, 4 me 2. Golat për “verdheblutë” i shënuan Greca, Hasani, si dhe Leo Melo, me një dopietë, respektivisht në minutat 14’, 17’, 9’ e 78’, ndërsa për skuadrën e Luzit rrugën e rrjetës e gjetën Treni e Xhika, në minutat 40’ e 49’.
Në krahun tjetër, “vlonjatët” e Flamurtarit kanë arritur një fitore minimale në transfertën e Korabit të Peshkopisë, duke i mundur këta të fundit me rezultatin minimal, 0 me 1, pas golit të Lancinet Sidibe, në minutën e 36’-të sfidës.
Fitorja tjetër e ditës erdhi në fushën e Tomorit të Beratit, me këta të fundit që u mundën nga skuadra e Burrelit, me rezultatin minimal, pas golit të Nazës në minutën e 63’-të të sfidës. Megjithatë vlen të theksohet se kjo ndeshje solli shumë ankth pasi në minutën e 18’ pas përplasjes me Hysollin, sulmuesi i Burrelit Florenc Farruku ra pa ndjenja në tokë. Është dashur ndërhyrja e menjëhershme e të dyja stafeve mjekësore për të shpëtuar 22-vjeçarin. Pasi është zgjuar, Farruku është dërguar menjëherë me ambulancë në spitalin rajonal të Beratit, ndërsa u shoqërua me duartrokitjet e tifozëve.
Ndërkaq, tre sfidat e tjera, të kësaj të hëne janë mbyllur në barazim. Sfida Bylis-Besa u mbyll në barazimin e “bardhë”, 0 me 0, sfida Vora-Lushnja u mbyll me barazimin 2-2, me golat për vendasit u shënuan nga Raboshta në minutën e 45+3’ dhe Pereira në minutën e 86’, teksa për miqtë shënuan Kasmollari në minutën e 15’ dhe Ayinde në minutën e 73’, ndërsa Kastrioti-Apolonia ndahen me barazimin 1-1, me Arapin që shënoi për vendasit në minutën e 3’ dhe Trifoni realizoi për miqtë në minutën e 30’.
Përsa i përket renditjes në vendin e parë të tabelës është Bylisi me 26 pikë, në të 2-tin, Elbasani me 22 pikë dhe më pas vijnë Vora me 19 pikë, Apolonia me 18 pikë, Flamurtari me 18 pikë, Korabi me 11 pikë, Lushnja, me 11 pikë, Kastrioti me 10 pikë, Burreli me 10 pikë, Tomori me 10 pikë, Besa me 9 pikë dhe në fundin e tabelës është Luzi me 2 pikë.