Carlos Queiroz nuk është më trajner i përfaqësueses së Katarit. Federata e Katarit ka falënderuar trajnerin portugez, duke i uruar suksese në të ardhmen.
“Faleminderit trajnerit Carlos Queiroz për kohën që drejtoi ekipin tonë. I urojmë suksese në karrierën e tij”, lexohet në deklaratë.
Carlos Queiroz, i cili qëndroi më pak se një vit në këtë rol, e drejtoi ekipin e Katarit në 12 ndeshje, nga të cilat fitoi katër, duke përfshirë dy të fundit, kundër Afganistanit dhe Indisë (eliminatore të Botërorit).
Pika kulmore është triumfi ndaj Meksikës, në Kupën e Artë, kompeticion në të cilin Katari u eliminua nga Panamaja, në çerekfinale. Ai gjithashtu fitoi ndeshjen e tij debutuese kundër Xhamajkës.