Besa Famgas është ndalur në barazim pas një kohe të gjatë në Superligën e Kosovës në hendboll. Këtë e arriti Kastrioti i Ferizajt, të mërkurën mbrëma. Ndeshja Kastrioti – Besa Famgas përfundoi 31:31. Ishte ndeshje e mbetur e xhiros së 11-të të Superligës së Kosovës në hendboll.
Ndeshjen më mirë e nisën vendasit, por pas minutës së dhjetë Besa ishte përpara 7:4. Lojtarët e Kastriotit nuk u dorëzuan. Barazuan në 9:9 në minutën e 17-të e më pas kaluan para 11:9 në minutën e 21-të. Prapë Besa kaloi para, kurse në minutat e parë të pjesës së dytë epërsia e pejanëve shkoi deri në pesë gola, 19:14. Besa e mbajti epërsinë, kurse pesë gola para ishte edhe në minutën e 48-të, 27:22.
Kastrioti u afrua gradualisht. Pas rezultati 30:27, Jeton Bislimi shënoi një gol, kurse Shpëtim Mehmeti dy të tjerë për barazimin 30:30. Madje Kastrioti kaloi para në minutën e 58-të, kur Festim Mustafa shënoi për 31:30. Por Jon Muqolli shënoi në minutën e njëjtë për të barazuar rezultatin në 31:31 dhe për të evituar humbjen e Besës.
Festim Mustafa i shënoi 14 gola për Kastriotin. Shtatë i kishte Jeton Bislimi, kurse nga tri i realizuan Shpëtim Mehmeti e Gentrit Brahimi.
Arbios Mushkolaj i shënoi 12 gola për Besën. Gjashtë i kishte Olsi Mulaj, kurse nga pesë i shënuan Ivan Majiq e Ardit Tafilaj.
Besa Famgas, që nuk ka lëshuar pikë për kohë të gjatë, udhëheq në tabelë me 19 pikë nga dhjetë ndeshje. Kastrioti është i katërti me 11 pikë nga 11 ndeshje.