Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, dhe zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Daulina Osmani, përuruan sot tribunat dhe zhveshtoret e reja në stadiumin e qytetit “Liman Gegaj” në Malishevë.
Ky projekt përfaqëson një investim të përbashkët ndërmjet MKRS-së dhe Komunës së Malishevës.
Në ceremoninë e përurimit ishin të pranishëm zyrtarë komunalë, përfshirë drejtorin për sport, Fitim Shala, dhe drejtorin e urbanizmit, Avdi Morina, i cili ka mbikëqyrur realizimin e projektit. Shiriti i përurimit u pre nga kryetari Kastrati, zv/ministrja Osmani dhe kapiteni i FC “Malisheva”, Dreni Kryeziu.
Kryetari Kastrati falënderoi zv/ministren Osmani për mbështetjen e MKRS-së, duke theksuar rëndësinë e këtij bashkëpunimi për zhvillimin e mëtejshëm të infrastrukturës sportive në Malishevë. Ai shprehu besimin se ky bashkëpunim do të vazhdojë, duke përfshirë edhe pjesën tjetër të tribunave dhe përmirësimin e infrastrukturës përcjellëse.
“Malisheva është bërë një qendër sportive me rezultate të dukshme në futboll, atletikë, not dhe sporte të tjera. Çdo investim në sport është investim në të ardhmen e rinisë sonë të shëndetshme,” theksoi Kastrati.
Burimi: botasot.info