Kryetari i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami ka dërguar urim për vitin e ri. Ai ka thënë se vitin që po e lëmë pas ka qenë me shumë sfida dhe probleme.
Ja dhe postimi i tij i plotë:
Viti që lëmë pas për ne si shqiptarë ishte me shumë sfida dhe probleme. Për fat të keq, ikja e të rinjve, intelektualëve dhe kuadrove profesionist nuk u ndal, por vetëm po rritet. Për çdo ditë shtohet edhe numri i familjeve që hyjnë në varfëri. E gjithë kjo falë politikave të pushtetit aktual, me të cilat, populli po varfërohet ndërsa politikanët po pasurohen.
Të gjithë e dimë se arsimi po shkatërrohet, numri i kazinove po rritet, mjekët po braktisin vendin, pushtetarët po blejnë vila dhe makina luksoze, biznesit me vështirësi po sigurojnë paga për të punësuarit e tyre, por familjarët e ministrave dhe liderëve të partive në Qeveri po blejnë qendra tregtare dhe merren me biznese ilegale.
Me keqardhje konstatojmë se vitin që lëmë pas, është viti më i errët në historinë tre dekadëshe të Maqedonisë së Veriut. Qytetarët nuk dëgjuan e nuk panë asgjë përveç se krim, korrupsion, shkatërrim të institucioneve dhe sistemit.
Gjithë kësaj do i vijë fundi së shpejti. Lëvizja BESA si parti opozitare në vazhdimësi dëshmon se jemi me popullin dhe për popullin. Veprat tona dhe përkushtimi dëshmohet në menaxhimin e Komunës së Tetovës dhe Zhelinës.
Për më pak se dy vite, ne kemi punuar dhjetë fish më shumë se që kanë punuar të gjithë kryetarët e këtyre Komunave në këto tre dekada. Dhjetëra miliona euro për asfaltimin e rrugëve dhe hapjen e bulevareve, zgjidhëm problemin e ujit të pijshëm, në fund është zgjidhja e problemit me mbeturinat. Ulim në mënyrë të vazhdueshme borxhin e Komunës së Tetovës dhe lirojmë hapësirat publike. Tetova së shpejti do të ketë edhe Stadiumin modern të Qytetit.
Por nuk duhet të ndalemi këtu. Sepse të gjithë qytetarët meritojnë të kenë jetë më të mirë, nga Kumanova e deri në Strugë dhe Manastir. Të gjithë duhet të kemi jetë europiane.
Andaj bëmë një hap edhe më të madh. U bashkuam dhe formuam Lidhjen Europiane për Ndryshim. Dhe viti që vjen, do të jetë vit i ndryshimit, të cilin do e sjellim bashkërisht. Viti 2024 është viti kur të gjithë tokë do të largojmë të keqen dhe do i dërgojmë në histori ata që, në vend të Europës zgjodhën Rusinë e Serbinë, dëbojnë popullin çdo ditë, shkatërrojnë sistemin e shtetit vetëm që të mbajnë pushtetin.
Derisa ata vazhdojnë të “luftojnë” për të kapur çdo institucion të shtetit për të manipuluar zgjedhjet e ardhshme, ne po marrim mbështetje edhe më të fuqishme nga qytetarët. E bashkërisht do të arrijmë në fitoren historike, që do të na çojë në Bashkimin Evropian dhe do të kthejë SHPRESËN dhe DINJITETIN tonë.
Uroj që të keni vit sa më të mbarë dhe shëndet të plotë.