Bashkëkryetari i VLEN-it dhe kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, është takuar me kryetarin e Zagrebit, Tomislav Tomašević, me të cilin ka diskutuar për mundësitë e bashkëpunimit mes dy qyteteve në disa fusha me interes të përbashkët.
Pas takimit, Kasami ka bërë të ditur se në fokus të bisedës kanë qenë menaxhimi i mbeturinave, cilësia e ajrit, transporti publik dhe përfshirja e qytetarëve në vendimmarrje, fusha në të cilat Tetova synon të përfitojë nga përvoja e kryeqytetit kroat.
“Ka ende çështje ku përvoja e Zagrebit mund të jetë shembull i vlefshëm për ne: menaxhimi i mbeturinave, ajri i pastër, transporti publik dhe përfshirja e qytetarëve në vendimmarrje. Në këto fusha duam të mësojmë nga Zagrebi dhe të bashkëpunojmë ngushtë me të”, ka shkruar Kasami.
Në takim është diskutuar edhe për shkëmbimet mes të rinjve, studentëve dhe artistëve, si dhe për mundësitë e bashkëpunimit në turizëm.
Kasami ka bërë të ditur se gjatë takimit i ka bërë edhe një ftesë të veçantë homologut të tij nga Zagrebi, që së bashku të ngjiten në Malin Sharr.
“Zagrebi është shtëpi për shumë familje nga Tetova e rrethina, që me punë dhe ndershmëri kanë ndërtuar ura miqësie mes dy popujve. Mbi këto ura duam të ndërtojmë edhe bashkëpunimin mes dy qyteteve tona”, ka theksuar Kasami.
Burimi: alfax.mk


