Bilall Kasami, kryetari i komunës së Tetovës, sot ka reaguar ndaj mos përfilljes së kërkesave të tyre ndaj Qeverisë, ku kërkohej ndihmë për rajonet e prekura nga përmbytjet. Siç njofton Kasami, përmbytjet kanë shkaktuar dëme të mëdha në qytet, si dhe në Reçicë të Vogël, në Xhermë dhe Poroj por për qeverinë këto dëme nuk janë të rëndësishme dhe nuk është biseduar fare në seancën e djeshme.
Sipas tij, pikërisht moskujdesi për komunën është arsyeja pse partia e Kovaçevskit dhe Ahmetit humbën në zgjedhejt e 20 gushtit për këshill komunal.
“Qeveria e papërgjegjshme e Kovaçevskit dhe Ahmetit, me vendimin e djeshëm nuk kanë treguar solidaritet dhe mbështetje për qytetarët për të vetmen arsye, humbja në zgjedhjet lokale të 20 gushtit. Ata nuk mund ta kapërdijnë humbjen dhe shkelmin e fundit që i’u dha populli atyre që për 20 vite shkatërruan çdo gjë, atyre që u pasuruan në kurriz të popullit dhe atyre që keqpërdorën djersën e qytetarëve. Mirëpo, ne jemi të vetëdijshëm për veprimet e qeverisë dhe nuk do ndalemi këtu, por do të vazhdojmë të punojmë dhe të jemi në shërbim të qytetarëve sepse ata besojnë në Ne, në opsionin tonë dhe në zhvillimin e qytetit”, thotë Kasami.
Ai bënë të ditur se Tetova nuk është gjunjëzuar asnjëherë dhe do të vazhdojë e vetme përpara sepse e ka mbështetjen e qytetarëve.