Kasami mburret me të arriturat, por nuk i përmend dështimet

min lexim

Komuna e Tetovës para pak ditëve bëri një vit nga kur menaxhohet nga kryetari aktual, Bilall Kasami, i cili sot prezantoi para opinionit atë se çfarë realizoi gjatë këtij viti, por jo edhe premtimet e tij të që nuk i realizoi gjatë këtij një viti. Portalb.mk ju sjell një paralele të punëve të realizuara që Kasami i prezantoi sot dhe atyre që nuk janë bërë apo që duhet të punohet për to, transmeton Portalb.mk.

Ksami tha se sfidë e madhe ka qenë drejtimi me komunën pasi siç tha është një nga më borxhlie në vend dhe me probleme të pazgjidhura nga udhëheqësia paraprake.

“Me gjithë vështirësitë dhe presionet me të cilat përballemi, si dhe me borxhin e trashëguar miliona eurosh, ne arritëm të trasojmë me sukses rrugën që synojmë – një qytet modern që zhvillohet dhe bëhet një vend më i mirë për të jetuar për të gjithë. Gjatë kësaj kohe ne kemi arritur që të shlyejmë një pjesë të borxhit, dhe në të njëjtën kohë kemi realizuar edhe projekte të reja… ne arritëm të shlyejmë mbi 3 milionë euro borxh të trashëguar, por në të njëjtën kohë kemi vazhduar me intensitet të shtuar me realizimin e projekteve infrastrukturore”, tha Kasami.

Kujtojmë që nëntorin e vitit të kaluar Kasami bëri publik borxhin e Komunës i cili ishte mbi 24.018.222 euro (së bashku me shkollat dhe ndërmarrjet publike). Ndërkaq së fundmi ai njoftoi se ky borxh është zvogëluar për rreth një milion euro. Borxhi aktual i Komunës së Tetovës së bashku me ndërmarrjet publike është 23.404.377 euro.

Kasami sot theksoi se gjatë këtij viti është punuar në infrastrukturën rrugore.

“Vizituam çdo lagje dhe filluam punën – rindërtuam rrugët, sanuam çdo dëmtim të infrastrukturës rrugore, siguruam më shumë vende parkimi, liruam hapësirën publike të uzurpuar. Gjithashtu rregulluam edhe zonën rekreative tek Banjat e Qytetit, vendosëm pajisje të reja urbane, ndriçim, rregulluam vend-parkingjet, po ashtu rregulluam edhe një park për fëmijët”, tha mes tjerash Kasami duke shtuar se po punohet për projekte tjera në këtë drejtim.

Kujtojmë që bulevardi Bllagoja Toska ishte premtim se deri në shtator-tetor do të jetë gati, por nuk ka përfunduar ende. Ndërkaq në disa rrugë tjera në mungesë të mjeteve për sanim të tërësishëm, janë mbuluar vetëm gropat. Por, shumë rrugë mbeten ende të shkatërruara.

Për sa i përket urbanizmit theksoi se gjetën 3268 lëndë të pa procesuara me vite të tëra, ku për një afat prej gjashtë muajsh përgatiten 1334 përfundime, 235 pëlqime urbanistike, 212 aktvendime, 349 të cilët duhet të merr vendim këshilli, 311 lëndë në proces të ankimimit duke u shqyrtuar nga juristët, 379 të realizuara në kadastër.

“Njësia për realizim të planeve urbanistike për një vit ka dhënë 155 leje ku janë të përfshira ndërtim, mbindërtim, shtesë, rikonstruim, adaptim dhe ridestinim. Gjithashtu ka filluar faza përgatitore për ndryshimin dhe zgjerim të planit gjeneral urbanistik”, tha Kasami.

Kujtojmë që në periudhën parazgjedhore Kasami premtoi se planin gjeneral urbanistik do ta miratojnë menjëherë, në gjashtë mujorin e parë dhe pastaj do të vazhdohet me planet detale urbanistike dhe kjo nuk do ti kushtojë Komunës së Tetovës më shumë se 1.8 milion euro. Por, kjo deri tani nuk është bërë.

Ndër tjera ai theksoi se njësia e ekspropejimit në vetëm 20 ditë ka realizuar punë të cilat për gjashtë vjet kanë qenë të lëna pas dore.

“Bëhet fjalë për proces ekspropejimi që ndërlidhet me projektin e kolektorit si dhe stacionit të filtrimit për ujërat e zeza për Tetovën dhe fshatrat Xhepçisht, Poroj, Reçicë e Madhe, Reçicë e Vogël dhe Falisht, projekt ky që kap vlerën mbi 30 milion euro. Gjatë kësaj periudhe të shkurt kohore u përfundua mbi 2000 lëndë dhe u dorëzuan te njësia për çështje pronësore juridike pranë ministrisë së Financave për t’i njoftuar palët”, tha Kasami.

Story i mëparshëm

Maqedoni: Për fundjavë pritet të bie shi, në vendet malore edhe borë

Story i radhës

Befason Fabregas

Të fundit nga