Bashkëkryetari i VLEN-it, Bilall Kasami, ka deklaruar se raportet me Izet Mexhitin dhe komunikimi brenda strukturave drejtuese të VLEN-it janë shumë të mira, duke hedhur poshtë pretendimet për përçarje në koalicion.
Në emisionin “N’Dritë” në Alsat M, Kasami tha se bashkëpunimi me Mexhitin është dëshmuar edhe në takimin e fundit të VLEN-it, ndërsa debatet e brendshme i cilësoi si pjesë të diskutimeve për përfaqësimin sa më dinjitoz të shqiptarëve nga funksionarët e tyre.
“Ne kemi një komunikim të shkëlqyer me Izet Mexhitin dhe brenda Presidencës së VLEN-it. Kjo u pa edhe në takimin e fundit brenda VLEN-it. Ne kemi debate që funksionarët tanë t’i përfaqësojnë shqiptarët sa më denjësisht”, deklaroi Kasami.
Ai foli edhe për opozitën shqiptare, duke e kritikuar për pasivitet dhe duke i bërë thirrje që të mos mbështetet në pritjen e përplasjeve të brendshme në VLEN, por të ofrojë projekte dhe programe për zgjidhjen e problemeve të shqiptarëve.
“Unë kam qenë për një kohë të gjatë në opozitë dhe kam qëndruar me shpresën e përplasjes së BDI-së. Uroj që opozita të dalë sa më shpejt nga kjo letargji dhe të ofrojë projekte e programe për zgjidhjen e halleve të shqiptarëve, e të mos flejë duke pritur përplasje në VLEN”, u shpreh Kasami.


