Rreth 6.600 qytetarë diagnostikohen çdo vit me diabet, ndërsa një numër i konsiderueshëm vazhdojnë të mbeten të padiagnostikuar. Alarmin e ngritën Dr. Irfan Ahmeti, drejtor i Klinikës së Endokrinologjisë, dhe Dr. Bekim Fera, gjatë aktivitetit të organizuar në Çair për Ditën Botërore të Diabetit.
Aktiviteti u organizua nga Shoqata e Studentëve të Mjekësisë në Maqedoni (MMSA), në bashkëpunim me Klinikën e Endokrinologjisë dhe Komunën e Çairit, nën moton “Early Action on Diabetes” – Vepro herët kundër diabetit!
Gjatë aktivitetit qytetarëve iu ofruan matje falas të glikemisë dhe tensionit arterial, si dhe këshilla për parandalimin, diagnostikimin dhe menaxhimin e diabetit.
Dr. Irfan Ahmeti theksoi nevojën për përfshirjen e të gjitha niveleve të kujdesit shëndetësor, veçanërisht të mjekut amë, në diagnostikimin dhe trajtimin e hershëm të sëmundjes.
Ndërsa Dr. Bekim Fera u ndal te rëndësia e diagnostikimit në kohë, edukimit të pacientëve dhe luftimit të stigmës sociale ndaj personave me diabet. Ai theksoi se pacienti duhet të jetë pjesë aktive e menaxhimit të sëmundjes.
Aktiviteti synoi që përmes informimit dhe kontrolleve parandaluese të rrisë ndërgjegjësimin e qytetarëve se veprimi i hershëm mund të parandalojë komplikimet dhe të përmirësojë cilësinë e jetës së pacientëve me diabet.

