Erzeni ka arritur të marrë 1 pikë në “Niko Dovana” pas barazimit dramatik me Partizanin. Pas ndeshjes, ka folur edhe trajneri Xhevahir Kapllani. Ai u shpreh se golat në finish janë si fitore për ekipin. Ndër të tjera, tekniku tha se shpresojnë të mbajnë këtë ritëm për shkak se punojnë çdo ditë dhe se futbollistët e dashurojnë këtë fanellë.
“Këto golat në finish janë si fitore, skuadra e nisi mirë lojën e filluam me gol, vazhduam përsëri mirë, por loja mori rrjedhën e vet. Partizani i shkon gjërave deri në fund pra dëshiron që ti shkojë deri në fund këtij kampionati. Pjesën e dytë e nisëm shumë keq se udhëzimet që dhamë nuk i zbatuan, iu thamë kujdes, por gabuam. Ndryshuam edhe skemat e lojës bëmë dy tre lëvizje, patëm një moment me Alanin, por morëm dëshpërim dhe pësuam golin.
Partizani pati momentet që mund ta shënonte deri në 4 gola, por falenderoj çunat që e mbyllëm me barazim, kjo pikë na vlen për karakterin dhe optimizmin e ekipit.
Kampionati me 10 skuadra dhe pikët janë aty, ne jemi gjithmonë luftë deri në fund, ky kampionat është i luftuar nuk ka fushë vendëse dhe kundërshtare, kush lufton më shumë merr dhe pikët, do punojmë më shumë të nxjerrim gabimet nga kjo sfidë dhe të rikuperojmë.
Mendoj që jam shumë i lumtur për pikën, ne i kemi bërë disa dhurata Partizanit në pjesën e dytë. Shpresojmë të mbajmë këtë ritëm, po punojmë çdo ditë, kishim edhe mungesa të rëndësishme. Do vazhdojmë të ecim përpara, rruga është e ashpër dhe e egër, lojtarët kanë filluar ta dashurojnë fanellën, shpresojmë që tifozët ti kemi ndeshjen e ardhshme, na japin satisfaksion. Unë me Kadriun kam 5 javë që i them kur do vijë goli jot apo jo, qëndroi efikas bashkë me barazimin e Amirit”, u shpreh Kapllani në një pronocim për “Oversport”.