Drejtoria Doganore ka dorëzuar padi penale kundër 19 personave fizikë dhe 5 juridikë, për kryerjen e disa veprave penale në lidhje me importimin e 35 veturave të përdorura në vend, në periudhën mes përfundimit të vitit 2023 dhe fillimit të vitit 2024, gjatë së cilës nuk janë paguar tatimet dhe me këtë është dëmtuar buxheti i shtetit për 150 mijë euro, shkruan Alsat.
Veturat janë gjetur dhe janë vendosur mbikëqyrje doganore. Sipas drejtorit të Doganave, Boban Nikollovski, dëmi mund të jetë shumë më i madh.
“Dyshojmë se tatimet e shmangura dhe dëmi i shkaktuar shtetit është shumë më i madh, pasi që mundësia është e madhe që në vitet e kaluara këto vepra të kenë ndodhur më shumë herë. Deri më tani, deri në Prokurorinë Themelore për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, janë dorëzuar padi penale për 24 persona, prej të cilëve 19 fizikë dhe 5 juridikë për kryerjen e veprave penale “Mashtrim Doganor”, “Fshehje të Mallit” nga kryerja e veprës penale “Mashtrim Doganor”, “Falsifikim” dhe “Keqpërdorim të Detyrës dhe Autorizimit Zyrtar”, tha Boban Nikollovski, drejtor i Drejtorisë Doganore.
Nikollovski sqaroi se bëhet fjalë për skemë të organizuar mes doganierëve, shpeditetrëve, salloneve për shitje të veturave të përdorura dhe transportuese. Në skemë janë të përfshirë gjithsej 8 doganierë të cilët në mënyrë fiktive kanë zhdoganuar veturat.
“Sektori për Kontroll dhe Hetimi ka konstatuar shkelje të rëndë të dispozitave ligjore. Kryerësit e veprave penale që kanë qenë pjesëmarrës në skenë të punuar dhe organizuar mirë, kanë përpunuar dokumente shoqëruese të falsifikuara të cilat janë të nevojshme për mbarimin e procedurës doganore dhe në mënyrë fiktive e kanë zhdoganuar transitin pa zbatuar procedurë doganore. Kështu, pa ua paguar dogana dhe tatimet tjera importuese, automjetet janë lëshuar në qarkullim të lirë dhe të njëjtat kanë mbaruar në auto-sallone të ndryshme në shtet”, u shpreh Boban Nikollovski, drejtor i Drejtorisë Doganore.
Për doganierët e përfshirë, është hapur procedurë disiplinore e cila ende vijon, ndërkaq auto-sallonet që janë të përfshira në skemë vazhdojnë të punojnë./ Alsat.mk
Burimi: alfax.mk