Shkup, 12 Dhjetor – “Jemi në komunikim me presidentin dhe vlerësojmë që për momentin nuk ka nevojë të mblidhet Këshilli i Sigurimit, por gjithsesi nëse vlerësohet nga kryetari i shtetit për thirrjet eventuale të seancës së Këshillit të Sigurimit, do të jemi prezent atje me qëndrimet tona”.
Këtë e tha sot kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi, kur u pyet në lidhje me atë nëse duhet të mbahet seancë e Këshillit të Sigurimit në RMV, pas shtimit të rasteve të alarmeve për bomba.
Ministria e Punëve të Brendshme sot njoftoi se ka pasur disa raportime për denoncime për bomba të vendosura.
Nga MPB thonë se në Shkup ka pasur denoncime në 9 shkolla dhe 2 qendra tregtare si dhe në Ministrinë e Punëve të Jashtme, kurse në Kavadar ka pasur denoncim për bombë në një shkollë.
“Menjëherë pas marrjes së denoncimeve, nga punonjësit e policisë janë marrë masat për evakuimin e sigurt të objekteve dhe më pas janë kryer kontrolle të hollësishme nga grupet e inspektimit antiterrorist dhe është konstatuar se bëhet fjalë për kallëzime të rreme”, thonë nga MPB.
Burimi: zhurnal.mk