Themeluesja e Fondit për të Drejtën Humanitare, Natasha Kandiq, tha se letra e të dënuarit të Hagës dhe ish-komandantit të Korpusit Drina të Ushtrisë së Republika Srpska, Radislav Krstiq, në të cilën ai pranonte fajin për gjenocidin në Srebrenicë dhe shprehte keqardhje, është e rëndësishme jo vetëm për Serbinë, por edhe për viktimat.
Kandiq tha se nuk është e rëndësishme nëse dëshmia e Krstiqit është e sinqertë, por se është shumë më e rëndësishme që “dikush që ishte komandant i Korpusit të Drinës, i cili mori pjesë në ekzekutimin e gjenocidit, e pranoi atë, me shumë detaje, me argumente të mëdha”.
“Është diçka e rëndësishme jo vetëm për Serbinë, por edhe për viktimat. Pavarësisht se kanë kaluar shumë vite nga ngritja e aktakuzës dhe gjykimi ndaj Krstiqit, ka ardhur momenti që ai ta thotë.
Ai nuk i ka ndryshuar pikëpamjet e tij për vite me radhë, nuk e ka njohur atë gjenocid, edhe pse ka paraqitur kërkesa për lirim të parakohshëm, por tani po shkruan një letër që të jetë në dispozicion të publikut”, tha Kandiq.
Burimi: botasot.info