Saranda Musliu, kryetarja e LDK-së në Bayern, e cila aktualisht është kandidate nga kjo parti për deputete në Kuvendin e Kosovës, në një intervistë për ‘Bota sot’, ka treguar se ku do të jetë angazhimi i saj, nëse merr besimin e qytetarëve.
“Puna ime do të fokusohet në tre shtylla kryesore: fuqizimin e mërgatës, nxitjen e zhvillimit ekonomik dhe forcimin e partneriteteve ndërkombëtare. Do të punoj për të forcuar lidhjet mes Kosovës dhe komuniteteve tona jashtë vendit. Duhet të krijojmë mundësi më të mira për investime, të thjeshtojmë shërbimet për mërgatën dhe të sigurojmë që zëri i mërgatës të dëgjohet në institucionet tona”, vlerëson ajo.
Tutje, Musliu thotë se, si ekonomiste, di që mirëqenia fillon me një ekonomi të fortë.
“Përqendrimi im do të jetë në krijimin e vendeve të punës, fuqizimin e ndërmarrjeve dhe tërheqjen e investimeve të huaja. Së bashku, mund të ndërtojmë një Kosovë ku të rinjtë tanë shohin të ardhmen e tyre, jo vetëm jashtë vendit, por në atdheun e tyre”, thotë ajo.
Musliu thekson se po ashtu, progresi i Kosovës varet nga partneritetet me aleatë si Gjermania dhe miqtë e tjerë ndërkombëtarë.
“Gjithashtu do të punoj për të thelluar këto marrëdhënie, duke siguruar që Kosova të shihet si një partner i besueshëm, konstruktiv dhe me vizion për të ardhmen”, tha Musliu për ‘Bota sot’.
Burimi: botasot.info