Kancelari gjerman Olaf Scholz tha se terminali i parë i gazit natyror të lëngshëm (LNG) në Gjermani është gati të vihet në funksion, kurse cisterna e parë me LNG do të arrijë këtë javë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Scholz në një fjalim në parlament tha se Gjermania dhe partnerët e saj në Bashkimin Evropian po ndërmarrin të gjitha hapat e nevojshëm për të diversifikuar furnizimet me gaz për t’i dhënë fund varësisë së tyre të importit nga Rusia.
“Siguria evropiane nënkupton edhe sigurinë energjetike të Evropës. Nuk ka asnjë sektor tjetër në të cilin kemi përparuar kaq shpejt”, theksoi kancelari.
Ai shtoi se asgjë nuk dëshmon më qartë për këtë se fakti që të shtunën do të hapet terminali i parë i LNG-së në Wilhelmshaven.
“Ne filluam ndërtimin e tij në korrik, ndërkaq terminali i parë i LNG-së tani është i gatshëm që të kyçet në rrjet”, shtoi Scholz.
Ai shtoi se cisterna e parë me LNG do të arrijë këtë javë në terminalin Wilhelmshaven.
Sipas tij, Gjermania është në pozitë të mirë për ta përballuar këtë dimër dhe planifikon të shmangë mungesën e energjisë në muajt në vijim.
Qeveria gjermane po përpiqet të diversifikojë burimet e saj të furnizimit me gaz natyror duke blerë më shumë gaz nga Norvegjia dhe duke rritur importet përmes tubacioneve nga Belgjika dhe Holanda.
Berlini zyrtar gjithashtu është duke ndërtuar terminale LNG në portet veriore gjermane Brunsbuttel, Stade dhe Lubmin. Deri në fillimin e luftës në Ukrainë në shkurt, Rusia furnizonte 55 për qind të nevojave të Gjermanisë me gaz natyror.
Gjermania nuk ka importuar gaz nga Rusia që nga shpërthimet në tubacionet e gazit Rrjedha Veriore (Nord Stream) në shtator të këtij viti.