Kanabizimi, lojërat e fatit, amnistia fiskale/ A është ky “Trekëndëshi financiar i Bermudës” që garanton mandatin e katërt të Edi Ramës?

April 12, 2022
min lexim

“Mandatin e katërt ne do e fitojmë, kjo nuk diskutohet, por fokusi është 2021-2025. E shoh veten diku tjetër pas 2030-ës”. Vetësiguria me të cilën foli Edi Rama në një intervistë televizive pak ditë para Kongresit të PS, mund t’i jetë dukur dikujt e tepërt.

Nuk është hera e parë që politikanët “mbi kalë” flasin me mendjelehtësi për pushtetin e tyre. Kur ishte kryeministër, Berisha gajasej në Kuvend dhe i thoshte Ramës: Sa të kem ty përballë, këtu më keni kryeministër…

Por, Berisha “e theu hundën” keqazi në zgjedhjet 2013, doli në opozitë dhe u dorëhoq si kryetar i PD.

Ndryshe nga Berisha, Edi Rama ka një plan konkret për “mandatin e katërt” dhe po punon që sot, përditë, për ta zbatuar atë.

Ja ç’tha ai në Asamblenë e PS javën e kaluar:

“Herën e katërt do ta kemi më të vështirë se këtë të tretën. Nuk e luan topi se detyra ndaj gjithë atyre që na besuan, është të bëjmë të pamundurën për t’ja dalë të rikonfirmohemi përsëri pas 4 vitesh”.

Të bien në sy menjëherë 2 gjëra.

E para, Edi Rama vetëm mendjelehtë nuk është. Mendjelehtë janë ata që mendojnë se kryetari i PS mezi pret të humbë zgjedhjet dhe të nisë “jetën e tretë” si artist krijues, mes lapëstilave dhe poçeve të baltës diku në rrënojat pranë Kryegjyshatës. Edi Rama e do pushtetin, nuk është “i dehur” me të, madje ka ende etje. Kujtoni që ai kandidoi për mandat të katërt si kryetar bashkie në Tiranë, pavarësisht se shumë miq e kolegë (duke përfshirë mikun më të ngushtë të kohës, Koço Kokëdhimën) i kërkonin të mos e bënte këtë.

Pra, mendjelehtë janë ata që mendojnë se Rama “do lodhet e do konsumohet nga pushteti” dhe do ia lerë pasardhësit të tij në krye të PS.

E dyta, që plotëson të parën. Edi Rama po bën çmos, të shtrojë që sot shinat e pushtetit drejt mandatit të katërt qeverisës.

Një buqetë e tërë aktorësh e faktorësh po lidhet e ndërthuret për të garantuar pikërisht vazhdimësinë. Këta aktorë shtrihen që nga oligarkët që po majmen përditë e më shumë me para publike e koncensione, që nga mediat të cilat i janë ulur në gjunjë pushtetit më shumë se kurrë e deri tek lëvizjet për sigurimin e parave që do ta sigurojnë këtë pushtet përmes:

kanabizimit,

lojërave të fatit dhe

amnistisë fiskale.

“Trekëndësi i vërtetë i Bermudës” financiare shqiptare. Një kombinim fatal për çdo kundërshtar, që sot po kamuflohet me Këshillimin Kombëtar. Kanabizimi dhe amnistia fiskale po paraqiten si kërkesë popullore drejtuar qeverisë, ndërkohë që rihapja e lojërave të fatit vjen si një kërkesë specialistësh për të luftuar bastet ilegale!

Skema është e qartë. Pra, për të luftuar kanabizimin, bixhozin dhe pastrimin e parave, në fakt i legalizojmë ato. Ajo që nuk dimë ende, është se kush do ta kontrollojë këtë industri? Do ta kontrollojë shteti, oligarkët, krimi i organizuar apo një kombinim i të trejave bashkë?

Duke parë precedentët, ekziston “dyshimi i arsyeshëm” se paraja që do të qarkullojë përmes “kanabisit mjekësor” dhe “basteve legale” mund të derdhet në fushatat e ardhshme elektorale.

Cilët precedentë mund të pyesësh dikush?

Nuk është i largët viti kur ambasadori i OSBE-së në Shqipëri u shpreh me shqetësim se “2 miliardë euro nga qarkullimi i hashashit mund të përdoren në zgjedhjet shqiptare”. Pavarësisht se u detyrua ta tërheqë mbrapsht këtë deklaratë, kreu i OSBE tha një të vërtetë që së paku prej 3 dekadash verifikohet në vend.

Paraja e pistë përdoret për të fituar zgjedhje, për të siguruar pushtet politik.

Ajo që po ndodh sot, është se “paraja e pistë” tashmë do të bëhet “e pastër”. Si e tillë, ajo do të jetë më kokëfortë, më arrogante, më e pushtetshme, më e dukshme dhe më e sigurt për vazhdimësinë. Dhe mbi të gjitha, aspak mendjelehtë.

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Shqipëria fiton me goleadë në transfertën e Armenisë!

Story i radhës

Vetëm 90 qytetarë u vaksinuan të hënën kundër virusit Covid-19

Të fundit nga

ShkoLartë