Kamerunasi Francis Ngannou, kampion i botës në artet marciale mikse në peshën e rëndë (17 fitore, 3 humbje), ka qenë në stadiumin “Wembley” të Londrës fundjavën e kaluar.
Ai ka ndjekur nga afër sfidën e boksit mes britanikëve Tyson Fury dhe Dillian Whyte. Këtë duel e fitoi Fury me KO në raundin e gjashtë, që mbrojti titullin kampion të peshës së rëndë (kategoria WBC).
Pas duelit, Ngannou është ngjitur në ring dhe ka takuar Fury, duke u uruar për fitoren.
Jo vetëm kaq, por ai ka propozuar një sfidë mes tyre, një duel mes dy kampionëve të botës në peshën e rëndë.
“Një ditë, herët a vonë, do ta zbulojmë se cili nga ne të dy është më i keqi në planet (baddest motherfu*ker)”, ka propozuar Francis Ngannou, sfidë e mirëpritur nga Tyson Fury.