Hendbollistët dhe hendbollistet deri në 16 vjet po e vazhdojnë punën intensive në kampin veror të FHK-së që po mbahet në Gjakovë.
Njomakët janë të ndarë në grupe, ndërsa po punojnë me përkushtim dhe seriozitet të madh.
Koordinatori i kampit, Benon Brahushi, është shumë i kënaqur me punën që po bëhet në kamp.
“Puna në kamp po shkon shumë mirë. Kemi të grumbulluar mbi 80 fëmijë nën moshën 16 vjeçare, në të dy gjinitë.
Ata janë të ndarë në katër grupe dhe po punojnë nga dy herë në ditë me shumë vullnet dhe entuziazëm, nën urdhrat e trajnerëve. Kushtet janë të favorshme për zhvillimin e kampit, duke iu falënderuar edhe stafit të konviktit dhe të palestrës për një mikpritje shumë të mirë”, ka thënë Brahushi.
Kampi vazhdon edhe disa ditë. “Jemi optimist se këta fëmijë gjatë qëndrimit në kamp do të fitojnë eksperienca të mira dhe të vlefshme për zhvillimin e tyre si hendbollistë”, ka shtuar Brahushi.