Një kamion është përplasur me një avion të kompanisë easyJet në pistën e aeroportit Paris Orly, duke shkaktuar kaos në udhëtimet ajrore.
Incidenti ndodhi herët mëngjesin e së hënës, kur një kamion tip “Scania” u përplas me pjesën e pasme të një Airbus A320, i cili ishte planifikuar të kryente gjashtë fluturime gjatë ditës.
Pamjet dramatike tregojnë dëmtime të mëdha në trupin e avionit, ndërsa xhami i përparmë i kamionit është thyer nga goditja. Sipas burimeve, dyshohet se shoferi i mjetit mund të ketë shtypur aksidentalisht pedalin e gazit në vend të frenave, duke bërë që kamioni të përplaset me avionin.
Pasi incidenti u raportua, në vendngjarje mbërritën automjetet e emergjencës, ndërsa kompania easyJet nisi menjëherë një hetim për shkaqet e aksidentit. Avioni është tashmë i bllokuar për kontrolle të rrepta sigurie, duke sjellë ndërprerje të mëdha në itinerarin e fluturimeve.
Një zëdhënës i kompanisë easyJet deklaroi se në momentin e përplasjes avioni ishte i parkuar dhe nuk kishte pasagjerë në bord. Ngjarja pritet të shkaktojë një faturë mbi 100,000 mijë euro dhe ka ngjallur shqetësim të madh në radhët e udhëtarëve.
Burimi: botasot.info