​Kamikawa në takim me Kurtin: Paqja e stabiliteti janë vendimtare për Evropën

min lexim

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti në takim sot ministren e Punëve të Jashtme të Japonisë, Yoko Kamikawa, e cila po viziton për herë të parë vendin tonë në 15-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy shteteve.

Në takim u diskutua rreth çështjeve rajonale, përfshirë raportet me Serbinë dhe procesin e dialogut, në kuadër të së cilit kryeministri Kurti tha se është arritur marrëveshja bazike, por e cila në vazhdimësi është shkelur nga Serbia.

Gjithashtu, u bisedua mbi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal në garantimin e paqes dhe sigurisë, dhe në shërbim të zhvillimit dhe progresit të Ballkanit Perëndimor.

Ministrja Kamikawa theksoi se paqja dhe stabiliteti janë vendimtare për Evropën dhe se vizita e saj në rajon është në këtë funksion.

Gjatë takimit u diskutua rreth marrëdhënieve dypalëshe, projekteve të bashkëpunimit dhe asistimit dhe mundësive për investime të kompanive japoneze, veçanërisht në energjinë e ripërtrirë dhe infrastrukturën hekurudhore.

Kryeministri Kurti veçoi mbështetjen e Japonisë përmes Agjencisë Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar në menaxhimin e mbeturinave, menaxhimin dhe monitorimin e ndotjes së ajrit dhe mbështetjen për televizionin publik të Kosovës.

Ai falënderoi shtetin e Japonisë për vendimin për heqjen e vizave për mbajtësit e pasaportave diplomatike dhe atyre zyrtare, dhe për mbështetjen në fushën e mbrojtjes përmes trajnimit të oficerëve të Forcave të Sigurisë në Kosovë.

Ndër të tjerash, nënvizoi tregimin e suksesit të kompanisë japoneze Harino Mushroom, e cila është një nga fermat më të madhe të kërpudhave shiitake në Evropë, si shembull i mjedisit të përshtatshëm të të bërit biznes në Kosovë, por edhe thirrje për kompanitë tjera japoneze që të konsiderojnë Kosovën si vend atraktiv dhe të sigurt për investime.

Story i mëparshëm

Paguhen subvencionet për grurin, elbin, lulediellin, panxharin e vajit dhe kultura tjera bujqësore

Story i radhës

VIDEO/ “Urgjentisht dil në foltore dhe kërko falje” – i thotë Ilire Dauti Halil Snopçes

Të fundit nga