Ditë më parë, Policia e Kosovës ka zhvilluar një aksion për rastin ‘Brezovica’, ku u arrestuan 15 persona. Mes tyre ishte edhe biznesmeni Ajvaz Muzaqi që del të jetë djali i axhës së Besim Muzaqit, deputetit të Vetëvendosjes.
Në këtë aksion u kontrolluan dhe u bastisën rreth 21 autosallone, shtëpi e lokale në vende të ndryshme në Kosovë mbi dyshimin për shmangie tatimi dhe fajde.
Ajvaz Muzaqi dyshohet për veprën penale faje, kanosje e shmangie nga tatimi.
Ditëve të fundit, nëpër media në vend ka qarkulluar edhe një fotografi ku shihet biznesmeni Ajvaz Muzaqi bashkë me deputetit të Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Besim Muzaqi.
Ai në një prononcim ka thënë se z. Ajvaz Muzaqi e ka kushëri, saktësisht djalë të axhës.
“Po meqenëse juve ju intereson unë po ju tregoj. Ajvaz Muzaqi është kushëriri jem i parë, e dyta ai, është i dyshuar dhe nuk është ende fajtor sepse fajtor mund të jetë kur Gjykata ta shpallë vendimin. Tjetra, që dua ta them ty dhe kujtdo tjetër është se unë i inkurajoj organet e drejtësisë edhe organet e ndjekjes që secilin që i shkel ligjet ta vë para drejtësisë dhe ta marrë vendimin meritor. Unë e kam familjar, e kam edhe tjera fotografi të tjera përveç asaj sepse e kam familjar. Unë nuk marrë përgjegjësi për askënd që është mbi 18 vjet, nuk e kam as obligim as ta ngarkojë,” – ka thënë deputeti Muzaqi.
Tutje, deputeti Muzaqi, është pyetur se kur është takuar për herë të fundit me të, por nuk ka treguar specifikisht.
Ai ka thënë se është takuar vonë dhe se ka theksuar se nuk është e nevojshme të dihet se kur takohen ‘Djemtë e axhës’.
“Me të thanë të drejtën është shumë e pandershme prej atyre që mundohen t’i lidhin rastet në bazë afërsisë familjare. As unë nuk e kam zgjedhur Ajvazin me pas kushëri, as ai mua. Unë nuk e ndikoj as drejtësinë as askënd. Kushëri i parë është djali i axhës. Kur e kam taku për herë të fundit? Këtë nuk mundem me ditë, por mund të jetë vonë, por nuk ka rëndësi kur takohen djemtë e agjës. Ju lus për korrektësi,” – ka thënë ai.
I apostrofuari Ajvaz Muzaqi prezumohet i pafajshëm deri në vendimin e ndonjë shkalle gjyqësore.