SPB Shtip ka ngritur kallëzim penal kundër A.V. (48) nga Lozova, T.G. (51) nga Shkupi dhe L.L. (68) nga Shkupi, për shkak të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprës penale “keqpërdorim i pozitës dhe autorizimit zyrtar”.
Në vitin 2018, ndërsa ushtronte funksionin e kryetarit të Komunës së Lozovës, A.V. i ka mundësuar një personi juridik nga fshati Studeniçan të përfitojë në mënyrë të kundërligjshme një dobi pasurore në shumën prej 205.800 denarësh, duke e dëmtuar për aq buxhetin e komunës së Lozovës.
Më konkretisht, më 01.11.2018, i akuzuari i parë A.V. mori vendim për realizimin e një prokurimi publik për ndërtimin e një trotuari në rrugën “Revolucioni i Tetorit” në Lozovë, dhe për realizues u zgjodh një person juridik i cili caktoi të akuzuarin e dytë T.G. si drejtues të punimeve ndërtimore. Punimet përfunduan në mars të vitit 2019 dhe në librin e ndërtimit e ditarin e punimeve u regjistruan të dhëna të pavërteta, ku thuhej se ishin vendosur 381 metra katrorë pllaka bekatoni në vlerë prej 205.800 denarësh. Librin dhe ditarin e punimeve i kanë nënshkruar i akuzuari i dytë dhe i akuzuari i tretë L.L., i cili ishte mbikëqyrës i ndërtimit.
I akuzuari i parë A.V., megjithëse e dinte se shuma për pagesë nuk ishte reale, lejoi që të paguheshin 205.800 denarë më shumë sesa ishte punuar realisht.
Burimi: alfax.mk