Profesori universitar Goran Kallajxhiev i ftuar në emisionin Klan Debat në Klan Macedonia komentoi rastin e fundit me ish-zëvendëskryeministrin e parë Artan Grubi i cili u bë pjesë e listës së zezë amerikane.
Profesori tha se SHBA duhet të tregojë arsyet e qarta të faktuara të atij veprimi, përderisa pushteti aktual e ka përdoror këtë temë vetëm për politikë ditore.
“SHBA kur vendos dikë në listë të zezë, duhet t’i tregojë edhe faktet. Artan Grubi po sulmohet shumë mediatikisht vetëm për PR, në çdo emision, çdo politikan po merret me rastin e tij. Edhe unë po të isha në vendin e Grubit do të kisha ikur, pse, duke e ditur se sa presion do të bëhet në gjykata në rastin e tij do të ishte fundi i karrierës së tij politike”, tha Kallajxhiev.
Kallajxhiev tha se Grubi në momentin kur e ka lëshuar vendin nuk ka pasur asnjë ndalesë ligjore.
“Nuk ka pasur asnjë arsye që Grubi të ndalohet në kufi, çfarë na qenka kjo masë “Ndalo dhe njofto”? Nuk ka pasur urdhër nga gjykata, ai ka qenë qytetarë i lirë dhe pa asnjë pengesë…”, tha Kallajxhiev. /tvklan.mk
Burimi: TV KLAN