Shkalla e përfshirjes së Beogradit zyrtar dhe e proksive të tij malazeze në marrëdhëniet politike në Mal të Zi tejkalon pothuajse çdo shembull të krahasueshëm. Vuçiqi dhe shërbimet e tij kanë zhvilluar një sistem kompleks mediatik, informativ dhe politik ndikimi, i cili ka krijuar një hapësirë të rrezikshme ku, nga jashtë Malit të Zi, nuk ndikohet vetëm në zgjedhjen e pushtetit, por edhe në atë se kush do të jetë prokuror, gjyqtar apo bartës i ndonjë funksioni tjetër të rëndësishëm shtetëror, thotë analisti politik Danilo Kaleziq për RTKLive.
Konfrontimi i papritur i kryeministrit të Malit të Zi dhe liderit të Lëvizjes Evropa Tani (PES), Milojko Spajiq, me regjimin në Beograd dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duhet para së gjithash të shihet përmes ndryshimeve të reja në skenën politike malazeze, veçanërisht në raportin Andrija Mandiq – Beograd zyrtar, vlerëson për RTKLive analisti politik Danilo Kaleziq.
Sipas tij, përgjigjja e kryeministrit malazez Spajić ndaj presidentit serb nuk është një veprim i izoluar, por pjesë e një riorganizimi më të gjerë politik në Mal të Zi, ku veçanërisht e rëndësishme është ndryshimi i qëndrimit të kryetarit të Kuvendit të Malit të Zi dhe liderit të Demokracisë së Re Serbe (NSD), Andrija Mandiq, ndaj sulmeve gjithnjë e më të shpeshta të Beogradit kundër politikës së Podgoricës zyrtare.
Motivet e kryeministrit Spajiq
Kaleziq konsideron se kryetari i parlamentit malazez, Andrija Mandiq, tashmë ka hyrë në konflikt me Beogradin, duke i dhënë kryeministrit Spajiq mbështetje politike dhe një motiv shtesë për të bërë të njëjtën gjë.
“Një pjesë e konsiderueshme e strategjisë së tij të deritanishme politike, Spajiq e ka ndjekur përmes hapave politikë të Andrija Mandićit, ndaj nuk është çudi që tani po e ndjek edhe në përpjekjen për të krijuar një distancë më të madhe ndaj Beogradit zyrtar”, thotë Kaleziq.
Sipas tij, kjo merr peshë të veçantë pikërisht për shkak të pozitës politike të Mandiqit. Bëhet fjalë për kryetarin e parlamentit malazez dhe liderin e Demokracisë së Re Serbe, parti e cila për vite me radhë ka qenë një nga mbështetëset kryesore politike të politikës së Serbisë së Madhe në Mal të Zi dhe partneri më besnik i Beogradit. Për këtë arsye, largimi i Mandiqit nga mesazhet që vijnë nga Beogradi nuk mund të shihet thjesht si një tjetër deklaratë e ditës.
Megjithatë, Kaleziq konsideron se veprimi i Spajicit nuk mund të shpjegohet vetëm përmes marrëdhënieve me Mandićin apo ndryshimit të kursit të politikës së jashtme. Në prapavijë, sipas tij, qëndron edhe një llogari shumë e qartë politike e brendshme.
“Mandiqi, me strategjinë e tij të re politike, po hyn gjithnjë e më seriozisht në hapësirën elektorale të Lëvizjes Evropa Tani dhe do të ishte e pazakontë që lideri i kësaj lëvizjeje, kryeministri Spajiq, të hezitonte të ndërmerrte një manovër të tillë”, thotë Kaleziq.
Pikërisht këtu, sipas vlerësimit të tij, duhet kërkuar edhe një arsye tjetër pse kryetari i PES-it dhe kryeministri i Malit të Zi është tani më i gatshëm t’i përgjigjet Vuçiqit sesa më parë.
“Distancimi nga Vuçiqi duhet parë edhe si instrument i luftës së brendshme politike dhe si synim për të ruajtur një pjesë të elektoratit që Mandići po përpiqet ta marrë”, thekson Kaleziq.
Megjithatë, Kaleziq konsideron se historia nuk përfundon këtu.
Çështja e ndikimit të Beogradit
Në frontin e ri politik të hapur, siç thotë ai, shfaqen edhe pretendime shumë më serioze, të cilat vijnë nga aktorë tejet relevantë në skenën politike si të Malit të Zi, ashtu edhe të Serbisë. Bëhet fjalë për dëshmi publike se regjimi i Aleksandar Vuçiqit ka pasur rol jo vetëm në proceset politike në Mal të Zi, por edhe në sjelljen në pushtet të strukturave të caktuara politike në gusht të vitit 2020.
“Nëse ekzistojnë indicie dhe prova që mund t’i mbështesin këto pretendime, atëherë ato kërkojnë reagim institucional në Mal të Zi, por edhe vëmendje serioze nga partnerët tanë ndërkombëtarë”, thotë Kaleziq.
Në një kohë kur Bashkimi Evropian dhe vendet e tij anëtare po merren gjithnjë e më seriozisht me mbrojtjen e proceseve demokratike nga ndërhyrjet e huaja, paralajmëron Kaleziq, nuk mund të injorohet mundësia që një shtet i huaj të ketë tentuar të ndikojë jo vetëm në opinionin publik dhe proceset zgjedhore, por edhe në formimin e partive politike, zhvillimin e tyre dhe, përfundimisht, ardhjen e tyre në pushtet.
“Pikërisht për këtë arsye, aktivitetet e regjimit të Vuçiqit në Mal të Zi gjatë vitit 2020 dhe pas tij duhet të jenë objekt i një interesi shumë më serioz institucional dhe ndërkombëtar”, konsideron Kaleziq.
Ai veçon veçanërisht përmasat e formave të ndryshme të ndikimit që, sipas tij, janë zhvilluar prej vitesh në Mal të Zi.
“Shkalla e përfshirjes së Beogradit zyrtar dhe proksive të tij malazeze në marrëdhëniet politike në Mal të Zi tejkalon pothuajse çdo shembull të krahasueshëm. Vuçiqi dhe shërbimet e tij kanë zhvilluar një sistem kompleks mediatik, informativ dhe politik ndikimi, i cili ka krijuar një hapësirë të rrezikshme ku, nga jashtë Malit të Zi, nuk ndikohet vetëm në zgjedhjen e pushtetit, por edhe në atë se kush do të jetë prokuror, gjyqtar apo bartës i ndonjë funksioni tjetër të rëndësishëm shtetëror”, paralajmëron ai.
Për Kaleziqin, prandaj, çështja kyçe është qëndrueshmëria institucionale e Malit të Zi.
“Si anëtare e ardhshme e Bashkimit Evropian, Mali i Zi nuk duhet të lejojë asnjë dyshim se pushteti i tij zgjidhet ose formohet jashtë kufijve të tij.”
“Mali i Zi nuk dëshiron konflokt me Serbinë”
Paralajmërimet e Kalezićit duhet të shihen në kontekstin e mesazheve gjithnjë e më të ashpra që ditëve të fundit po shkëmbehen mes Podgoricës zyrtare dhe Beogradit.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në disa raste ka kritikuar politikën e autoriteteve malazeze, duke e akuzuar Podgoricën se dëshiron marrëdhënie më të këqija me Serbinë dhe se ndaj popullsisë serbe në Mal të Zi po ndjek një politikë që ai e konsideron të papranueshme.
Duke folur për marrëdhëniet mes dy shteteve, presidenti Vuçiq tha se Podgorica dëshiron “marrëdhëniet sa më të këqija me Serbinë”, duke pretenduar se Serbia është objekt i një fushate të fuqishme në mediat malazeze.
“Nuk është e nevojshme të shikoni hapat e tyre institucionalë ndaj Serbisë, të cilët janë të tmerrshëm; mjafton të shikoni skenën e tyre mediatike dhe do ta kuptoni se Serbia është objekt i fushatës më brutale prej gjashtë-shtatë ditësh. Tek ne Mali i Zi përmendet vetëm herë pas here, ndërsa tek ata 90 për qind të kohës gjithçka është kundër Serbisë”, tha presidenti Vuçiq.
Ai kritikoi edhe politikën malazeze ndaj Rusisë, veçanërisht mbështetjen e Podgoricës për sanksionet evropiane ndaj Moskës, të vendosura për shkak të agresionit rus ndaj Ukrainës.
“A e ka miratuar Podgorica edhe paketën e 21-të të sanksioneve ndaj Rusisë? Ata janë gjithmonë të parët! Kur Brukseli vetëm e paralajmëron një vendim, Mali i Zi është i pari – as që e kanë parë vendimin, por s’ka rëndësi. Nuk ekziston një vendim kundër Federatës Ruse që ata nuk e kanë mbështetur, dhe të gjitha paraprakisht, në mënyrë blanko”, tha presidenti serb.
Mesazheve të tij iu përgjigj kryeministri malazez Milojko Spajić, në atë që përbën hyrjen e tij të parë më të drejtpërdrejtë në një konfrontim të tillë publik me Vuçiqin.
“Prandaj, një pyetje e thjeshtë për presidentin Vuçiq: si është e mundur që Serbia, sipas të dhënave në dispozicion, është një nga burimet më të rëndësishme të armëve dhe municionit për Ukrainën, ndërsa Moskës i dërgon një mesazh, kurse Evropës një tjetër? Ne në Mal të Zi nuk kemi problem me një qëndrim të qartë. Problem kemi vetëm me standardet e dyfishta”, deklaroi kryeministri Spajiq.
Kthesë apo manovëer polotike?
Përgjigjja e kryeministrit Spajiq erdhi pasi kryetari i Kuvendit dhe lideri i Demokracisë së Re Serbe, Andrija Mandić, reagoi ndaj mesazheve fyese nga Beogradi. Gjatë fjalimit me rastin e shënimit të 150-vjetorit të betejës malazeze në Fundinë, Mandiq deklaroi se për Malin e Zi do të vendoset në Mal të Zi.
Megjithatë, pyetja që mbetet e hapur është nëse mesazhet e kryeministrit Spajić janë fillimi i një kthese më të qëndrueshme në marrëdhëniet e PES-it me Beogradin, apo pjesë e një kalkulimi më të gjerë politik në prag të riorganizimit të ri të skenës politike malazeze.
Kaleziq veçon veçanërisht sjelljen e funksionarëve të tjerë të PES-it, të cilët, sipas vlerësimit të tij, deri tani nuk kanë treguar ndonjë gatishmëri të veçantë për të qëndruar në krah të liderit të tyre partiak dhe për të mbështetur nevojën e tij të saposhfaqur për ta mbrojtur Malin e Zi nga ndikimet politike të Beogradit.
Prandaj, sipas Kaleziqit, sjellja e tyre do të jetë një nga treguesit më të rëndësishëm nëse bëhet fjalë për një ndryshim real të kursit politik apo për një kalkulim të përkohshëm politik të kryeministrit Spajiq, në prag të riorganizimit të ri të skenës politike malazeze.
Burimi: botasot.info


