Zyrtarë të lartë evropian dhe amerikan, por jo vetëm edhe zyrtarë vendor, duke filluar nga kryeministri Dimitar Kovaçevski, zëvendëskryeministri i parë dhe ministri për sisistem politik dhe marrëdhënie mes bashkësive, Artan Grubi kanë bërë thirrje për unitet politik në vend për miratimin e ndryshimeve kushtetuese dhe futjen e komunitetit bullgar në Preambulën e saj, me çka Maqedonisë së Veriut do ti hapet “porta e madhe” drejt arritjes së synimit të saj strategjik për tu anëtarësuar në Bashkimin Evropina (BE).
Mesazhe uniteti për këtë çështje ka dërguar edhe lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti duke shtrirë dorën e bashkëpunimit për interesin e qytetarëve dhe vendit edhe partive opozitare. Lidhur me çështjen e ndryshimeve kushtetuese nuk ka dilemë se partitë politike shqiptare, pa përjashtim, pushtet e opozitë mbështesin ato, por problemi, pengesa, barriera e Maqedonisë së Veriut në këtë rrugëtim dhe përcaktim strategjik të vendit është opozita maqedonase e udhëhequr nga VMRO-DPMNE-ja e Hristijan Mickoskit.
Në koluare të gazetarisë flitet se edhe brenda kësaj partie politike nuk ka ndonjë unitet të theksuar, apo qëndrim të betonuar për sa i përket çështjes së ndryshimeve kushtetuese. Nga shumë zyratë të shumicës parlamentare disa herë është theksuar se në taborin e opozitares VMRO-DPMNE ka deputet që mbështesin rrugëtimin euro-atlantik të vendit, gjegjëishst ndrysimet kushtetuese. VMRO-DPMNE kërkon garanci nga BE-ja se Sofja nuk do të kërkojë lëshime tjera gjatë procesit të negociatave, gjë që sipas njohësve të zhvillimeve politike do ta merrë, për ta arsyetuar votimin e deputetëve të saj para elektoratit të saj.
Gazetari dhe opinionisti Aco Kabranov vlerëson se mos votimi i ndrysimeve kushtetuese nga opozitarja VMRO-DPMNE do ta izolonte këtë parti jo vetëm në politikën e brendshme por edhe në arenën ndërkombëtare.
“Kur godasin murin me nacionalizmin dhe kuazi-patriotizmin e tyre, nuk u mbetet gjë tjetër veçse të akuzojnë të gjithë se janë fajtorë për to, si tradhtarë, se punojnë kundër interesave të shtetit, pavarësisht nëse janë vendas apo të huaj. Këtu Mickoski tashmë është në atë rrugë, çdo ditë sulmon apo ‘këshillon’ partitë shqiptare, po i zhduket Evropa dalëngadalë dhe i vë kushte BE-së në të cilën duam të hyjmë. Njeriu thjesht po kopjon paraardhësin e tij Gruevski dhe ai nga ana e tij kopjoi Gjeorgievskin. Fatkeqësisht, të paktën deri më tani me VMRO DPMNE nuk kemi parë një të ardhme të ndritur por një kthim në të kaluarën e errët. Populizmi që po i shesin popullit është vetëm për të mashtruar popullin derisa të vijnë në pushtet”, deklaroi Kabranov për Desk.al
Sipas tij, gjëja më e keqe që po bëjnë për veten e tyre është se i kanë mbyllur dyert e partive shqiptare, tashmë po braktisin edhe ata me të cilët bashkëpunuan dhe po distancohen publikisht prej tyre, siç po bën kreu i ASH-së Arben Taravari.
“Është e rrezikshme për Maqedoninë si shtet multietnik që vazhdimisht t’i bëjë thirrje popullit që t’i japë 61 deputetë që të mund të qeverisin rehat pa shqiptarë. Nuk e kam të qartë se kush nga jashtë dhe nga vendi do ta njihte një qeveri të tillë apo nëse po mendojnë të marrin për dekoratë në qeverinë e tyre disa shqiptarë të paguar. Mendoj se kohë të tilla kanë kaluar, jam i sigurt se një pjesë e madhe e tyre duan të bëjnë ndryshimet kushtetuese dhe të shkojnë drejt BE-së, por lidershipi i tyre ka ngecur thellë në mohimin e kësaj, madje mendoj se në disa nga provokimet me bullgarët ose përfitojnë ose janë pjesë në to. Sido që të vendosin në fund, e ardhmja e Maqedonisë është në BE dhe jam i bindur se ata duan që kjo të ndodhë në pushtetin e tyre”, theksoi Kabranov.
Maqedonia e Veriut, më 19 korrik, formalisht ka nisur bisedimet me BE-në, por bisedimet thelbësore për kapitujt nuk do të fillojnë pa ndryshimin e Kushtetutës për përfshirjen e bullgarëve në Preambulë. Kjo parashihet me marrëveshjen me Bullgarinë, bazuar në propozimin francez për zgjidhjen e kontesteve mes dy vendeve lidhur me çështjet historike, gjuhën dhe identitetin maqedonas.