Mungesa e flamurit shtetëror gjatë takimit të Presidentes së Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska – Davkova, me homologun e saj bullgar, Rumen Radev, ka shkaktuar reagime të ashpra në opinion.
Ndërkohë nga Kabineti I Presidentes Siljanovska kanë njoftuar se do të kërkojnë përgjigje nga Sofja zyrtare se përse mungonte flamuri maqedonas në takimin me Presidentin Radev. Nga Kabineti shpresojnë se bëhet fjalë për lëshim diplomatik.
Kabineti presidencial
“Para takimit kokë më kokë, Presidenti Radev ftoi Presidenten të bëjnë fotografi të përbashkët para flamurit bullgar edhe pse një akt i këtillë nuk ishte parashikuar e as dakorduar. Duam të besojmë se bëhet fjalë për lëshim protokollar e jo procedurë të qëllimshme dhe do të kërkojmë sqarim ng apala bullgare”
LSDM-ja vazhdon të insistojë se vizita në Sofje paraqet debakël diplomatic. Socialdemokratët këtë vizitë e cilësuan si nënçmim të paparë në skenën politike ndërkombëtare.
LSDM-ja gjatë së dielës ka shtruar pyetjen nëse publikimi i fotografive nga Siljanovska dhe Ministrat, pa flamurin maqedonas, është bërë sipas diktatit bullgar.
BOGDANKA KUZESKA – LSDM
“Me këtë vizitë në Sofje, Siljanovska dhe VMRO-DPMNE cënuan identitetin maqedonas. Për herë të parë një burrështetas maqedonas është takuar me një burrështetas tjetër pa simbole kombëtare dhe kjo është skandal pa precedencë. Është ofendim dhe nënçmim i shtetit dhe qytetarëve. Siljanovska dhe VMRO-DPMNE inicuan skandal diplomatik ku lejuan që Bullgaria ta nënçmojë dhe ta fshijë dyshemenë me shtetin dhe qytetarët maqedonas”
Ish-diplomatët e vendit sjelljen e nikoqirëve bullgar e kanë vlerësuar si nënçmuese. Potencojnë se pa marrë parasysh nëse vizita ka qenë formale ose joformale, sipas protokollit elementar duhet të vendoset edhe flamuri i vendit nga ku vjen Presidenti, kurse flamujt e vegjël vendosen gjatë vizitës së ambasadorëve.
Presidenti bullgar, Radev, përmes Facebookut u distancua nga vizita, duke pohuar se asnjëherë nuk ka anuluar takime me president të huaj, që kanë vizituar Bullgarinë, pavarësisht rasteve, me cka qartazi bëri të ditur se ai nuk e kishte ftuar Siljanovskën.