2
Shkup, 5 qershor – Çdo iniciativë e parashtruar nga deputetët, nëse është në përputhje me Kushtetutën dhe Rregulloren dhe ligjet, do të procesohet me respektim të plotë të ligjeve dhe standardeve demokratike, thuhet në letrën me shkrim nga Kabineti i kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi lidhur me interpelancën e parashtruar për kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski nga grupi i deputetëve të “Frontit Evropian”.
“Siç përcaktohet qartë në nenin 47 të Rregullores së Kuvendit dhe nenin 72 të Kushtetutës, deputetët kanë të drejtën e garantuar me Kushtetutë për të ngritur interpelancë mbi punën e çdo bartësi të funksionit publik. Këto dispozita nuk janë lëndë e interpretimit të lirë, por zbatimit të tyre. Kryetari i Kuvendit mbetet i përkushtuar ndaj udhëheqjes parimore dhe ligjore, të bazuar në rendin kushtetues, paanësinë institucionale dhe respektimin konsistent të procedurave. Çdo iniciativë e parashtruar nga deputetët, nëse është në përputhje me Kushtetutën dhe Rregulloren dhe ligjet, do të procesohet me respekt të plotë të ligjeve dhe standardeve demokratike”, thuhet në kumtesë.
Nga Kabineti i Gashit potencojnë se sigurimi i ligjshmërisë dhe mbrojtja e integritetit institucional të Kuvendit nuk është vetëm detyrim, por edhe parim themelor i vizionit të Kryetarit për udhëheqje të përgjegjshme.
LSDM sot paraprakisht me kumteëls me shkrim informuan se nuk do ta përkrahin interpelancën e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese.
“Kryetarin nuk e zgjedh Kuvendi, por zgjedhet nga ana e gjykatësve kushteteus, kështu që as juridikisht as formalish kjo iniciativë nuk kalon”, sqarojnë nga partia.
Grupi i deputetëve të Frontit Evropian pardje deri te kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, ka parashtruar interpelancë për kryetarin e Gjykatës kushtetuese, Darko Kostadinovski. Deputeti Ilir Hasani sot në konferencë për shtyp elaboroi se interpelanca është ngritur për punën e Kostadinovskit në bazë të nenit 72, paragrafi 1 dhe paragrafi 2 nga Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Sipas Hasanit, Kostadinovski me vetëdije e ka shkelur Ligjin për përdorimin e gjuhëve dhe nenin 101 nga Ligji për Gjykatën Kushtetuese. Sipas tij, Kostadinovski ka paragjykime ndaj gjuhës shqipe dhe pyet se çka ka kundër gjuhës shqipe.
“Në elaborimin e interpelancës, mund të përmendim intervistë të dhënë për agjencinë e lajmeve MIA në gusht 2024, ku citoj ‘se politika që krijoi ky ligj, krijoi kaos ligjor, që rezultoi me kaos politik, mosbesim dhe dilema. Fakti është se ligji po zbatohet dhe se krijon probleme me zbatimin e tij’. Kjo deklaratë ngrit disa pyetje: Në bazë të cilit nen të Kushtetutës ose një ligji konkret, kryetarit të Gjykatës Kushtetuese i lejohet të karakterizojë një ligj si burim kaosi politik dhe juridik dhe nëse është në kompetencë të kryetarit të Gjykatës Kushtetuese të përcaktojë problemet në zbatimin e ligjit dhe të parashikojë ndërhyrje legjislative. Deklaratat e tilla zvogëlojnë kornizën e kompetencave të përcaktuara me ligj dhe krijojnë një sërë dyshimesh në lidhje me paanshmërinë e kryetarit të Gjykatës në çështjet që janë ende në shqyrtim”, tha Hasani.
BURIMI: zhurnal.mk