Juventus duhet të luajë mirë po edhe duhet të ketë pak fat për të fituar ndeshjen e dytë gjysmëfinale të Kupës së Italisë kundër Interit të mërkurën, ka thënë trajneri i skuadrës italiane, Massimiliano Allegri.
Ndeshja e parë në Torino është mbyllur me barazim 1-1, ndërsa në finalen e sezonit të kaluar Juve ishte mposhtur 4-2 pikërisht nga Inter.
“Ne duhet të përgatitemi me qetësi dhe dëshirë për hakmarrje për të arritur një objektiv të rëndësishëm si finalja e Kupës së Italisë.
Nëse jemi të mirë dhe kemi pak fat do t’ia dalim, përndryshe do të duartrokasim Interin”, ka thënë Allegri të martën.
Trajneri i Juventusit shtoi se ai shpreson të shmangen disa momente të ndeshjes së parë me disa tensione.
“Sot duhet të jetë një ndeshje e qetë, shpresoj që gjithçka të shkojë mirë sepse në fund është një lojë futbolli”. ka thënë ai.