Juristi dhe avokati Ardian Bajraktari thotë se institucionet ligjzbatuese duhet të mbajnë përgjegjësi kur dështojnë të veprojnë me kohë, ndërsa kërkon ashpërsim të politikës ndëshkimore për përsëritësit e veprave penale.
Vrasjet e fundit në Kosovë kanë rikthyer në vëmendje çështjen e sigurisë publike dhe përgjegjësisë së institucioneve për mbrojtjen e qytetarëve. Pas rasteve të rënda që kanë tronditur vendin, gjithnjë e më shumë po kërkohet llogaridhënie nga organet përgjegjëse dhe veprime konkrete për të parandaluar tragjedi të tilla në të ardhmen.
Lidhur me këtë çështje, juristi dhe avokati Ardian Bajraktari, në një prononcim për gazetën “Bota Sot”, ka theksuar se përgjegjësia institucionale duhet të adresohet, sidomos në rastet kur mosveprimi apo vonesat e organeve ligjzbatuese mund të kenë pasoja fatale.
Sipas tij, dështimi për të ndërmarrë veprime në kohën e duhur nuk mund të kalojë pa përgjegjësi juridike.

“Duhet të adresohet llogaridhënia dhe përgjegjësia institucionale, veçanërisht në rastet kur dështimi apo mosndërmarrja e veprimeve në kohë nga organet ligjzbatuese shkakton pasoja, përfshirë humbjen e jetës. Mosveprimi nuk mund të mbetet pa përgjegjësi juridike”, ka deklaruar Bajraktari.
Ai ka ngritur gjithashtu nevojën për rishikimin e politikës ndëshkimore, duke vënë theks të veçantë te personat që përsërisin veprat penale.
Bajraktari vlerëson se dënimet duhet të jenë në përputhje me peshën e veprës penale dhe rrezikun që paraqesin personat që vazhdojnë të kryejnë vepra të tilla.
“Po ashtu, duhet të rishikohet dhe ashpërsohet politika ndëshkimore, veçanërisht për rastet e përsëritjes së veprave penale (recidivizmit), në mënyrë që dënimi të reflektojë seriozitetin e veprës dhe rrezikun që paraqet përsëritja e saj”, ka theksuar ai.
Deklaratat e Bajraktarit rikthejnë në fokus përgjegjësinë e institucioneve të drejtësisë dhe sigurisë, si dhe nevojën për mekanizma më efikasë në parandalimin e krimeve dhe mbrojtjen e jetës së qytetarëve.
Burimi: botasot.info


