Ligjëruesi në Johns Hopkins University, Edward P. Joseph, është shprehur për të përditshmen serbe “Nova” se sanksionimi që i bëri ShBA-ja shefit të BIA-s, Aleksandër Vullinit, shtë shenjë se nuk do të tolerohet më “manipulimi masiv i presidentit serb Aleksandër Vuçiq”.
Sipas Joseph, një ekspert i politikës së jashtme amerikane, i cili shërbeu në Ballkan për gati një dekadë, duke përfshirë edhe vitet e luftës, thotë se vendimi për të vendosur sanksione ndaj Vulinit ishte i vonuar, megjithëse është, siç thotë ai, një hap i jashtëzakonshëm që dërgon një mesazh: “Kaluan ditët e përkëdheljeve të pafundme për Vuçiqin, fillojnë ditët e përgjegjësisë”, tha ai për gazetën ‘Nova’.
Megjithëse e quan të vonuar sanksionimin e Vullinit, Joseph është shprehur se ky është megjithatë një hap domethënës dhe i rëndësishëm.
“Besoj se vendimi për Vulinin nuk është vetëm mesazh për presidentin Vuçiq, besoj se është mesazh brenda vetë qeverisë amerikane. Unë besoj se vendimi për Vulinin pasqyron ndjenjën në nivele shumë të larta të administratës së Biden – Sekretarit Blinken dhe kolegëve në Shtëpinë e Bardhë – se ata nuk do të tolerojnë më manipulimin masiv nga Vuçiqi. Një artikull i kohëve të fundit në revistën me ndikim Foring Policy – “Shtetet e Bashkuara po krijojnë krizën e Kosovës” – u lexua dhe u diskutua gjerësisht në Uashington. Në të, autori i parashtronte një sfidë sekretarit Blinken: Të vendosë rrënjësisht nëse çrregullimi në rajon dhe dëmtimi i besueshmërisë së SHBA-së ia vlen të përqafohet autokrati Vuçiq, i cili u refuzua nga një pjesë e konsiderueshme e publikut serb. Veçanërisht përmendet roli i Vulinit. Unë besoj se artikulli katalizoi ndjenjën në rritje tek disa në administratën e Bidenit se “mjaft është mjaft” me Presidentin Vuçiq. Duhet të kujtojmë rolin konkret që Vulin luajti për Vuçiqin. Siç thuhet në tekstin në FP-së, Vulin është “alter egoja” e Vuçiqit – i cili thotë me zë të lartë atë që Vuçiq po mendonte dhe nuk donte të thoshte për të ruajtur këtë pozicion. Prandaj, besoj se vendimi për sanksionimin e Vulinit dërgon këtë mesazh: “Ditët e përkëdheljeve të pafundme ndaj maskaradës së Vuçiqit kanë kaluar. Fillojnë ditët e përgjegjësisë”. Sigurisht që bashkëpunimi serbo-amerikan do të vazhdojë, por tani me përgjegjësi”, deklaroi tutje ai.
Ai ka vazhduar tutje në këtë intervistë duke thënë që shpreson se edhe ambasadori Hill do të pranojë dhe promovojë këtë qasje më realiste në bashkëpunimin mes Serbisë dhe Amerikës.
“Shpresoj se ambasadori Hill do ta pranojë dhe përmirësojë këtë qasje të re, më realiste për bashkëpunimin serbo-amerikan. Hill është një diplomat me shumë përvojë. Ai thjesht duhet të pranojë se qasja e vjetër, me pak ose aspak përgjegjësi as për Vulinin, as për Vuçiqin, paraqet një pengesë për bashkëpunimin serbo-amerikan”, theksoi Joseph.
Joseph ka dhënë deklarata edhe në lidhje mënyrën se si ka reaguar Vuçiqi për sanksionimin e Vullinit.
“Një politikan i zgjuar do të distancohej pak nga Vulin. Në vend të kësaj, Vuçiq bëri të kundërtën. Ambasada amerikane nuk mund ta injorojë. Zyrtarët amerikanë duhet të vazhdojnë t’i bëjnë presion Vuçiqit për të hequr qafe Vulinin, siç tha presidenti serb se do të bënte”, tha Joseph.