Jorginho, mesfushori i Chelseat dhe ish-lojtar i Napoli-t, ka folur për faqen zyrtare të Bluve për ardhjen e tij në Londër.
Shumë argumentuan se ardhja e tij në Angli u bë falë Sarri, duke pasur parasysh vlerësimin e madh që ka trajneri i Lazio-s ndaj lojtarit.
“Nuk ishte e lehtë. Vitin e parë ne po fitonim dhe gjithçka dukej mirë, por më pas ndodhën shumë gjëra. Më duhej të punoja shumë për të marrë respektin e të gjithëve”, ka thënë Jorginho.
“Pasi filluan ato thashetheme, sigurisht që u mërzita pak, por gjithmonë përpiqem të shikoj anën e mirë dhe të ndryshoj perceptimin e njerëzve për mua.
“Kështu që thashë me vete, këta njerëz e kanë gabim me mua dhe nuk është e drejtë. Si në futboll ashtu edhe në jetë kanë rëndësi faktet, jo fjalët. Unë mund ta vërtetoj këtë në fushë dhe përmes rezultateve, kjo është ajo që gjithmonë jam përpjekur të bëj.
“Në fillim të eksperiencës sime doja të punoja kryesisht me fizioterapistë anglezë, ndaj pata mundësinë të filloja të flisja dhe të kuptoja sa më shumë. Po flisja me njerëzit e stafit, me shefin e kuzhinës.
“Pra, falë kësaj fillova të kuptoj shumë më tepër. Ishte një djalë, Lucas Piazon, i cili kishte qenë këtu për shumë vite. Ai është brazilian, por ai tashmë fliste anglisht në mënyrë perfekte, kështu që i bëra shumë pyetje dhe më ka mësuar shumë”.