Jep dorëheqjen presidenti armen: Kushtetuta nuk më garanton ndikim të mjaftueshëm

Presidenti armen Armen Sarkisian dha dorëheqjen e tij të dielën, duke thënë se ai beson se kushtetuta e vendit nuk i jep atij fuqi të mjaftueshme për të ndikuar në ngjarje të jetës politike të vendit.

Zoti Sarkisian, president që nga viti 2018, ka qenë prej vitit të kaluar në një përplasje me Kryeministrin Nikol Pashinyan për një sërë çështjesh, përfshirë shkarkimin e kreut të forcave të armatosura.

Roli i kryeministrit shihet si më i fuqishëm se ai i presidentit.

“Jam menduar për një kohë të gjatë dhe kam vendosur të jap dorëheqjen nga posti i Presidentit të Republikës pasi kam punuar aktivisht për rreth katër vjet“, thuhej në një deklaratë të publikuar në faqen zyrtare të Presidentit Sarkisian.

“Mund të lindë pyetja se pse Presidenti nuk arriti të ndikojë në ngjarjet politike që na çuan në krizën aktuale kombëtare. Arsyeja është përsëri e qartë, mungesa e mjeteve të përshtatshme, Kushtetuta. Rrënjët e disa prej problemeve tona potenciale fshihen tek ligji bazë aktual”, tha presidenti.

Në një referendum në dhjetor 2015, Armenia u bë një republikë parlamentare, ndërsa kompetencat presidenciale u kufizuan ndjeshëm.

Zoti Sarkisian në deklaratën e tij nuk iu referua drejtpërdrejt ndonjë ngjarje apo çështje të veçantë.

Nëntorin e kaluar Armenia ra dakord për një armëpushim me Azerbajxhanin në kufirin mes tyre, pasi Rusia u kërkoi dy vendeve të tërhiqen, pas përplasjes më të përgjakshme që nga një luftë gjashtë-javore në vitin 2020, kur Moska gjithashtu ndërmjetësoi një marrëveshje paqeje për t’i dhënë fund armiqësive.

Kryeministri Pashinyan që atëherë ka qenë nën trysni, me protesta të rregullta në rrugë që kërkonin dorëheqjen e tij lidhur me kushtet e marrëveshjes së paqes. Sipas marrëveshjes së vitit 2020 të ndërmjetësuar nga Rusia, Azerbajxhani rifitoi kontrollin e territorit që kishte humbur gjatë një lufte në fillim të viteve 1990.

Armenia u shkëput nga Bashkimi Sovjetik në vitin 1991, por mbetet e varur nga Rusia për ndihmë dhe investime. Shumë armenë akuzojnë qeverinë për korrupsion./VOA

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

9 hapa si të qëndroni ngrohtë në shtëpi pa rënduar faturën e energjisë elektrike

Story i radhës

Covid 19/ Bilanci për 24 orët e fundit

Të fundit nga

AlbanianMacedonianEnglish