Ministri i Arsimit në Qeverinë e Serbisë, Branko Ruzhiç, mbrëmë ia dorëzoi dorëheqjen e parevokueshme kryeministres së Serbisë, Ana Bërnabiç, transmeton Anatolu.
“Në heshtjen e zisë treditore kombëtare, si njeri i përgjegjshëm dhe i edukuar, profesionist në kryerjen e të gjitha detyrave të mëparshme publike, si prind dhe qytetar i Republikës së Serbisë, që është gjithmonë në radhë të parë për mua, dhe në pajtim me nenin 23 të Ligjit për Qeverinë, kam marrë vendim racional dhe të ndershëm në këto rrethana. Paraqes dorëheqjen time të parevokueshme nga pozita e ministrit të Arsimit në Qeverinë e Republikës së Serbisë”, tha Ruzhiç në letrën dërguar kryeministres Bërnabiç, të cituar nga agjencia Tanjug.
Në letër, ndër të tjera, ai ka shtuar se kryeministrja ka qenë në dijeni të faktit se ka ofruar dorëheqje menjëherë ditën kur ndodhi tragjedia në Beograd.
Ai theksoi se personalisht, brenda Partisë së tij Socialiste të Serbisë, do të vazhdojë të luftojë edhe më vendosmërisht për vlera evropiane.
“Dorëheqja është një akt personal por edhe politik, në shoqëritë e zhvilluara demokratike është simbol i fuqisë, ndërsa në rajonin tonë shumë shpesh është shenjë dobësie. Le të gjykojë opinioni”, tha Ruzhiç.
Në tragjedinë në shkollën fillore “Vladislav Ribnikar” që ndodhi të mërkurën në Beograd, një djalë trembëdhjetë vjeçar, nxënës i klasës së shtatë të asaj shkolle, qëlloi dhe vrau tetë nxënës dhe një roje shkolle, si dhe plagosi gjashtë fëmijë dhe një mësuese.