Nëse keni kualifikime, eksperienca të shumta dhe aftësi që i përshtaten një niveli manaxherial ose ndoshta edhe një niveli më të lartë, ju quheni i mbikualifikuar kur aplikoni në një pozicion në nivel më të ulët.
Punëdhënësi mund t’ua vërë në dukje një gjë të tillë në momentin e intervistës, e gjatë leximit të CV-së. Por nëse ju e dëshironi realisht atë pozicion, pavarësisht nivelit të tij, ju mund ta bindni punëdhënësn se ju jeni i interesuar për atë pozicion. Si duhet të silleni në këto raste?
Shfaqni interes
Në momentin që një punëdhënës ju thotë se ju jeni të mbikualifikuar, ai i di shumë mirë aftësitë tuaja dhe sigurisht që do të donte t’ju punësonte, por ai kërkon të sigurohet që ju e doni realisht atë pozicion dhe se nuk do të largoheni për një kohë të gjatë nga ajo kompani.
Për ta bindur punëdhënësin, ju mund të shpreheni se e njihni mirë kompaninë, jeni shumë të interesuar për pozicionin dhe se ju kurrë nuk do të aplikonit për një pozicion ku nuk jeni i interesuar. Gjithashtu mund të thoni se ju do të përpiqeni që të jepni një kontribut afatgjatë në atë kompani.
Shpjegoni situatën
Punëdhënësi mendon se një person me kaq shumë kualifikime si ju ndoshta pret një pagë shumë të lartë, ose përfitime të tjera nga punësimi, ose një rritje në detyrë pas një kohë shumë të shkurtër. Kështu që ju duhet të shpjegoni arsyen pse keni lënë një punë të mëparshme dhe jeni në kërkim të një pune tjetër.
Ndoshta mund të shpreheni se puna juaj e mëparshme kërkonte që ju të bënit shumë udhëtime jashtë vendit dhe ndërkohë juve nuk ju pëlqen kjo ide. Ju doni të jeni të fokusuar në një ambjent pune dhe mbrëmjeve të mund të shkoni në shtëpi.
Shpjegoni përfitimet
Mund të tregoni situata reale sesi aftësitë tuaja ju kanë ndihmuar të zgjidhni probleme të ndryshme dhe të jeni pjesë e projekteve të rëndësishme. Shpjegoni sesi këto aftësi ju do t’i aplikoni edhe në këtë kompani në mënyrë që ajo të vazhdojë të jetë e suksesshme.
Pra ju duhet të jeni të përgatitur për çdo pyetje që mund t’ju drejtojë një intervistues. Duhet të jepni përgjigjen e duhur që të jeni kandidati i duhur.