Tetovë, 27 dhjetor – Përfaqësuesit e Prokurorisë Themelore Publike të Tetovës sot në debatin kryesor të gjykimit për zjarrin në Spitalin Modular të Tetovës, i kanë prezantuar titujt e provave të shkruara që janë dorëzuar me aktakuzë në Gjykatë. Mbrojtja e të pandehurve kontestoi mënyrën e paraqitjes, duke konsideruar se përveç citimit të titujve duhet të sqarohen edhe provat e ofruara. Në të njëjtën kohë, avokatët theksuan se në listën e provave mungojnë një numër i caktuar titujsh dhe se disa prej tyre përmbajnë mangësi që i bëjnë të papërdorshme.
Meqenëse pjesa me paraqitjen e provave të shkruara të propozuara nga prokurori publik përfundoi sot, gjyqtari Jordan Velkovski e shtyu seancën kryesore për shkak se nuk ishin të pranishëm dëshmitarët e propozuar nga Prokuroria.
Seanca kryesore do të vazhdojë më 16 janar 2023 me dëshmi verbale nga dëshmitarët që janë me propozim të Prokurorisë. Gjykata do t’i ftojë për debat kryesor edhe dëshmitarët e theksuar.
Në të njëjtën kohë, gjyqtari caktoi datën 31 janar 2023 si datë të radhës për vazhdimin e seancës kryesore, në mënyrë që ajo të mos shtyhet më për shkak të ngarkesave të mbrojtësve.
Gjykimi për zjarrin e ndodhur më 8 shtator 2021, ku humbën jetën 14 persona dhe dhjetëra u lënduan, filloi tre javë më parë, më 7 dhjetor, pasi nisja e gjykimit u shty nga shtatori për këtë muaj.
Paraprakisht drejtorët Florim Besimi dhe Artan Etemi, mjeku Boban Vuçevski dhe Spitali klinik i Tetovës si person juridik pas ftesës së gjyqtarit kanë theksuar se e kuptojnë akuzën, por nuk e pranojnë fajin dhe se nuk i kanë kryer veprat për të cilat akuzohen.
Burimi: zhurnal.mk