Meteorologu i Metoalb, Hakil Osmani tha për “Good morning Albanians” në Euronews Albania se java ka nisur nën dominimin e motit të kthjellët dhe kështu do të vijojë.
“Do të kemi shumë orë me diell dhe shumë pak prezentë vranësirat. Për fat të keq nuk pritet që këtë javë të kemi reshje duke bërë që të mungojnë jo vetëm reshjet e shiut, por edhe reshjet e borës në zonat malore,” – u shpreh Osmani.
Ai shtoi se i gjithë rajoni ndodhet nën dominimin e masave ajrore të qëndrueshme të cilat nuk po sjellin reshje, madje po sjellin temperatura të larta.
Sipas Osmanit, muaji janar ka nisur me anomali temperaturash. Ai solli në vëmendje se temperaturat në zonat malore duhet të ishin në vlera negative, por janë 2-3 gradë më lart se normalja.