“Jam polic”, 27-vjeçari “skifter” del para Gjykatës! Prokuroria italiane ngre akuzën për 18 vjedhje në banesa!

November 24, 2022
min lexim

”Unë jam polic”. Kështu u paraqit paraditen e djeshme Klisman Nikolli, efektivi shqiptar 27- vjeçar i Policisë së Shëngjinit, para gjyqtarit italian të ngarkuar për vlerësimin e legjitimitetit të arrestimit të tre të dyshuarve për grabitjet e kryera nga 30 tetori deri më 15 nëntor në Veneto dhe Friuli.

27-vjeçari u prangos nga policia italiane për vjedhje, së bashku me dy shqiptarë të tjerë, Viktor Bilani, 30- vjeç dhe Flor Koca, 35-vjeç nga Lezha. Nikolli u bllokua nga karabinierët e Kompanisë “Portogruaro”, teksa do të kthehej në Shqipëri. Në dhomën e “Bed & Breakfast” në San Stino di Livenza, ku ai qëndronte së bashku me bashkëpunëtorët e tij “skifterë” Bilani dhe Koca, valixhet tashmë ishin të mbushura.

Të tre prisnin një grua nga zona, e cila do t’i merrte dhe do t’i shoqëronte deri në aeroport. Përkundrazi, çuditërisht, karabinierët u gjendën përballë tyre. Të tre dyshohen për 18 vjedhje dhe tentativa vjedhjesh në lagje të ndryshme. Në Chions në dy vjedhje të ndryshme janë grabitur 2000 euro dhe në një shtëpi tjetër 9000 euro dhe disa orë. Mediat italiane raportojnë se në seancën e djeshme gjyqësore të akuzuar kanë shfrytëzuar të drejtën për të mos u përgjigjur.

SI U ZBULUAN 3 HAJDUTËT SHQIPTARË

Banda, sipas asaj që u rikonstruktua nga hetuesit, vepronte mes orës 17:30 dhe 19:00. Pas një vjedhjeje të kryer në San Michele, kapet një “BMW” e dyshimtë, e lidhur me goditje të tjera. Pasi u identifikua targa, policët zbulojnë se ajo kishte si “terminus” një “Bed & Breakfast”, ku Nikolli, Bilani dhe Koca ishin regjistruar rregullisht. Është “BMW” që lëviz çdo ditë dhe ndalon pikërisht aty ku më pas raportohen vjedhjet. Të tre u ndoqën gjithashtu gjatë një udhëtimi në Lombardi, fillimisht në Opera dhe më pas në Cinisello Balsamo, një vend nga i cili u kthyen me një “Ford Mondeo” të regjistruar në emër të një personazhi të dënuar. Nga hetimet e mëtejshme rezultoi se akomodimi në San Stino ishte rezervuar për një muaj nga një grua italiane nga zona. Të tre duhej të dilnin nga dhoma në fund të nëntorit.

Më 16 nëntor, një banor i guximshëm parandalon vjedhjen në shtëpinë e tij dhe ndjek hajdutët. “Ishin dy prej tyre. I pashë të hipnin në një Mondeo; në sediljen e shoferit ishte një njeri i tretë”, do të raportonte ai te karabinierët. Të nesërmen, gruaja që kujdesej për akomodimin i njofton se qëndrimi do të ndërpritet: të tre po largohen. Pikërisht në atë moment prokurori i Pordenones delegon kërkimin që do të lejojë gjetjen e 119 bizhuterive ari, mes të cilëve dy unaza martese me datën dhe emrin e një gruaje, 9 kapele bejsbolli, një zorrë dhe kaçavida. Kryhet arrestimi, por vijojnë hetimet për rikonstruksionin e të gjitha ngjarjeve dhe mbi të gjitha kthimin e mallit të vjedhur te viktimat.

PËRJASHTOHET NGA RADHËT E POLICISË

Ndërkohë, pas arrestimit të 27-vjeçarit Klisman Nikolli në Itali, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, e ka përjashtuar nga radhët e Policisë së Shtetit. Sipas Policisë, ai kishte marrë leje pa të drejtë page, nga data 1 nëntor deri më 31 dhjetor. Kjo leje, sipas Policisë i është miratuar nga eprori i tij, për dalje jashtë shtetit, pas kërkesës së bërë nga vetë punonjësi, për arsye shëndetësore. Ndërkohë, sqaron Policia, pranimi i tij në Akademinë e Sigurisë, është bërë konform procedurave ligjore, megjithëse ishte djali i një dëshmori të Policisë, Mark Nikollit. Nga ana tjetër, sipas burimeve bëhet me dije se Nikolli ndodhej nën vëzhgim prej kohësh në Shqipëri, pasi dyshohet për shpërdorim detyre dhe i implikuar në kultivimin e bimëve narkotike.

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Golden State të fortë për Clippers

Story i radhës

Flokët i “urrejnë” ditët me shi! Çfarë duhet të bëni që të shkëlqeni edhe në këtë kohë

Të fundit nga

ShkoLartë