85-vjeçarja Gjorgjia Simaku qëndron çdo ditë në këtë cep të Rrugës së Kavajës. Pas vdekjes së të shoqit prej më shumë se 20 vitesh ajo jeton e vetme.
Të ardhurat që përfiton nga pensioni janë të pakta dhe në këto kushte ka zgjedhur të shesë rrobat e bëra prej duarve të saj me grep. Jetesën e ka pasur të vështirë, pasi është detyruar t’i nënshtrohet plot 7 ndërhyrjeve. Ajo thotë se nga 17.200 mijë leke që merr pension, pjesën më të madhe e shpenzon për ilaçe dhe tarifat e dritave dhe ujit.
Nënë Gjorgjia tregon se në moshë të re ka punuar me tre turne në Uzinën e Kombinatit, ku njëkohësisht ndiqte edhe shkollën. Vështirësitë do të shtoheshin për të kur i shoqi ndërroi jetë dhe e vetme do të duhej të kujdesej për tre fëmijët. Ndërsa tashmë, pjesën më të madhe të ditës e kalon gojëkyçur, shoqëruar shpesh me dhimbjet që sjellin sëmundjet.
85-vjeçarja ka një mesazh për të gjitha bashkëmoshatarët, ku më kryesorja është ftesa që ende të punojnë.