Konfirmimi i Hansi Flik u duk se do të qetësonte ujërat në radhët e Gjermanisë, por skenarë të rinj kanë dalë në dritë mbi këtë vendim të zbehtë edhe pse me objektiva të lartë.
57-vjeçari erdhi me bujë nga Bajerni i frikshëm drejt një Gjermanie të “kalbur” në reparte të caktuara. Termi në fjalë do të rezultonte i tillë edhe pas “Katar 2022”.
“Sport Bild” zbulon “planet” e federatës vendëse në lidhje me zgjidhjen e teknikut në krye të kampionëve të 4-fishtë në spektrin e Botërorëve.
Burimi në fjalë raporton se Jurgen Klop ka qenë dëshira e drejtuesve, por kontrata e tij me “Reds” deri në 2026-ën, bashkangjitur me qëndrimin stoik të ish-trajnerit të Dortmundit e shtynë Nojendorf të bëjë hapa prapa dhe të pranonte fatin e hidhur, vazhdimin e rrugëtimit me Hansin.
Përfaqësuesit më të lartë në organin e “shtëpisë” së futbollit në Gjermani besonin se Klop me grintën e tij do të ndryshonte shumë faktorë, jo vetëm frymën brenda ekipit, por edhe rikthimin e besimit te tifozëria vendëse, e cila së fundmi ka prekur fundin.
Organizimi i “Euro 2024”, mbart më shumë sesa përgjegjësi, shfaqet edhe domosdoshmëri në planin e suksesit, ku grupi aktual dhe strategjitë e Flikut kanë marrë trajtën e “ujit të fjetur”, pa risi dhe efikasitet, të përkthyera në një besim të ulët, por pa një alternative të denjë.