Zvicra dhe Kosova do ta zhvillojnë sonte një ndeshje miqësore, e cila po konsiderohet si vëllazërore.
Kjo për faktin se disa lojtarë do të luajnë kundër vendit të origjinës, por edhe për lidhjen e ngushtë në mes të dy vendeve, pasur parasysh se shumë bashkatdhetarë jetojnë në shtetin helvetik.
E ky fakt ka bërë që kjo ndeshje të shihet edhe si një spektakël dhe festë në të dyja vendet.
Stadiumi në Zurich pritet të jetë i stërmbushur dhe një pjesë e mirë e tribunave do të mbushen nga tifozët shqiptarë.
Atmosfera në stadium me të vërtet do të jetë elektrizuese, diçka e ngjashme me atë që ishte parë në miqësoren Kosovë – Shqipëri vite më parë, e cila ishte luajtur pikërisht në tokën zvicerane.
Mediat zvicerane njoftojnë se janë shitur të gjitha 20.800 biletat që ishin në dispozion për këtë ndeshje.
Por, festa nuk do të mungojë as jashtë stadiumit pasi ky takim ka zgjuar kërshëri të madhe tek shqiptarët dhe tek zviceranët.
Ndeshja ndërmjet Zvicrës dhe Kosovës do të luhet sonte duke filluar nga ora 18:00.