Ja kur rifillon transporti publik në Tetovë

min lexim

Të hënën pesë autobusë të Ndërmarrjes Publike Tetova Transport, sërish do të shihen në rrugët e qytetit të Tetovës. Me këtë, pas një ndërprerje disamujore transporti publik sërish do të jetë funksional. Kjo është bërë e ditur nga Rafiz Medija drejtor i ndërmarrjes publike Tetova Transport.

“Në bazë të gjitha gjasave transporti publik në qytetin tonë do të futet në funksion me 30 maj, pra të hënën e ardhshme, ngase tani më janë tejkaluar të gjitha barrierat dhe pengesat e natyrës formalo-juridike dhe operative që pengonin në efikasitetin e ushtrimit të veprimtarisë sonë”, deklaroi drejtori Rafiz Medija. Është bërë e ditur se nga muaji mars i vitit 2021 e deri në dhjetor 2021 ndërmarrja ka funksionuar sikur të ishte fiktive.

“Sa i takon pengesave dhe problemeve që kemi hasur me ardhjen në krye të kësaj ndërmarrje vlen të theksohet se ato kanë qenë të shumta si për nga natyra ashtu edhe për nga vëllimi. Në aspektin formalo-juridik ndërmarrjes i ka munguar funksionimi konform ligjit për ndërmarrjet publike dhe statutit të ndërmarrjes, me çka ndërmarrjes i kanë munguar akte që janë të rëndësisë së veçantë për funksionim normal siç janë aktet për organizim të brendshëm të ndërmarrjes, sistematizimi i vendeve të punës, rregullore te caktuara të cilët nga afër e rregullojnë punën në ndërmarrje, si dhe fenomeni tjetër që kemi hasur është fakti se nga muaji mars i vitit 2021 e deri në dhjetor të 2021 ndërmarrja ka funksionuar sikur të ishte fiktive, pra asnjë dokument dhe asnjë procedurë ligjore që janë obligim i ndërmarrjes nuk është kryer e as është evidentuar ndonjë aktivitet i organeve udhëheqëse të ndërmarrjes në arkivin e ndërmarrjes siç janë mbledhjet e këshillit drejtues dhe këshillit mbikëqyrës që janë organe përgjegjëse për t`i miratuar aktet me rëndësi në ndërmarrje”, shprehet drejtori Medija.

Poashtu, sipas informacioneve tani më janë siguruar 10 shofer që do të drejtojnë autobusët në Tetovë.

“Shoferët e ndërmarrjes tanimë janë siguruar dhe të njëjtit do të paguhen në bazë të dispozitave ligjore nga buxheti vetanak i ndërmarrjes, pra nga mjetet që janë të ndara për pagat e të punësuarve në ndërmarrje dhe jo si udhëheqësia paraprake e cila shoferët i ka paguar nga buxheti komunal me kontratë në vepër dhe pa kontribute të paguara, e që ka penguar direkt në licencimin e ndërmarrjes sonë për të ushtruar veprimtarinë e transportit publik si një ndër hendikep kryesorë që neve si udhëheqësi aktuale na detyroi që për një periudhë edhe ta ndërpresim transportin publik në qytet”, shton më tej drejtori Medija.

Problem në vete, ka qenë edhe sigurimi i naftës për autobusët. Pikërisht mungesa e naftës kishte bërë që shkaktojë telashe gjatë funksionimit të ndërmarrjes.

“Krahas akteve të shumta të cilat ndërmarrja në këtë periudhë i ka sjellur është edhe akti që parasheh furnizimet publike të ndërmarrjes, në të cilin natyrisht e kemi parapare edhe naftën për autobusët. Procedura e prokurimit ka përfunduar dhe fituesi i tenderit është zgjedhur dhe autobusët do të pajisen rregullisht me naftë prej ditës kur edhe zyrtarisht do të rinisë transporti publik në qytet”, nënvizojnë nga kjo ndërmarrje.

Bëhet e ditur se problemet kanë qenë të shumta si mungesa e akteve me rëndësi për ndërmarrjen, mungesa e licencës për ushtrim të veprimtarisë së transportit publik, fiskalizimi i ndërmarrjes dhe mos funksionimi i ndërmarrjes në bazë të procedurave ligjore për rreth 9 muaj me radhë. Kjo sipas drejtuesve të ndërmarrjes vërtetohet përmes arkivit që konstaton se në këtë periudhë nuk ka të arkivuar asnjë dokument kurse ndërmarrja është futur në funksion që sipas përbërjes aktuale të komunës së Tetovës përbën situatë paradoksale. Por, prej atje njoftojnë se këto probleme janë tejkaluar dhe ndërmarrja do të funksionojë sipas ligjeve në fuqi. Për këtë ndërmarrje nga buxheti komunal janë ndarë 281 mijë euro.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

E rëndë, mbyten në liqen dy të mitur

Story i radhës

Dendias: Memorandumet me Shkupin do të ratifikohen kur këtë do ta lejojë interesi nacional dhe programi i Kuvendit të Greqisë

Të fundit nga