Ja cili është sektori që po financohet më shumë nga qeveria, zbardhen të dhënat e fundit

“Banka e Shqipërisë” në shifrat më të fund për shpërndarjen e shpenzimeve të qeverisë sipas klasifikimit funksional, deri në muajin mars të këtij viti rezulton se “Mbrojtja sociale”, “Shpenzimet e përgjithshme publike” dhe “Arsimi” ishin sektorët për të cilat qeveria alokoi më shumë burime financiare. Por si kanë ndryshuar shpenzimet e qeverisë në harkun kohor të një viti? Të dhënat tregojnë se në total, shpenzimet e qeverisë janë rritur me 5.3% deri në marsin e këtij viti, krahasuar me të njëjtën periudhë vitit të kaluar. Sipas analizës së Scan, në tre muajt e parë të vitit 2024, rezulton se peshën më të lartë të shpenzimeve e zë “Mbrojtja sociale” që përbën 36.4% të totalit. Po ashtu, 11.6% dhe 11.1% të shpenzimeve totale qeveria i ka hedhur për “Arsimin” dhe “Shëndetësinë”.

Sipas shifrave, “Shërbimet e përgjithshme publike” është zëri që regjistron pikërisht rritjen më të madhe vjetore të shpenzimeve, me 26.5% dhe në vend të dytë renditet “Shëndetësia”. Shpenzimet e qeverisë shqiptare për shëndetësinë deri në mars të këtij viti kanë qenë 10.4% më të larta se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Në vend të tretë ndërkohë gjejmë “Arsimin”, me rritje vjetore të barabartë me 10.3%. Në renditje ndjek “Rendi dhe siguria publike” me shpenzime 10.2% më të larta se një vit më parë. Lista vijon me “Argëtimi/ kultura/çështjet fetare” me 9.5% rritje, si dhe me “Mbrojtjen Sociale” me 8.9% rritje.

Ndër shpenzimet që paraqiten me rritje ky i fundit është zëri me rritjen më të ulët. Në të kundërt, shpenzimet janë ulur për zërat si: “Çështjet ekonomike”, “Strehimi dhe komoditetet e komunitetit”,  “Mbrojtja’’ dhe “Mbrojta  e mjedisit”.

Ndërkohë, në terma vjetorë rënia është thelluar për “Çështjet ekonomike” me 44%. Me rënie paraqiten edhe “Strehimi” me 30.6%, “Mbrojtja” me 4% dhe “Mbrojtja e mjedisit” me 0.9%. Shpenzimet funksionale të qeverisë janë sipas klasifikimit COFOG (Classification of the Functions of Government). Prej vitit 2007 ky klasifikim është në 10 grupe shpenzimesh funksionale. Zëri “Shpenzime të tjera” përfshin shpenzimet e tjera jashtë 10 grupeve. Të dhënat janë, progresive brenda vitit dhe rifreskohen sipas rishikimit të institucionit burim.

Story i mëparshëm

“Faktori ndërkombëtar po e bojkoton rrugën integruese të Kosovës”

Story i radhës

‘DailyMail’ shkruan për gjysmëfinalen e dytë të Eurovisionit: Malta dhe Belgjika befasi që s’janë në finale – Shqipëria nuk përmendet askund

Të fundit nga