Me siguri, gjatë periudhës para lindjes do ta takoni mjekun gati çdo javë. Mos u habisni nëse ai kryen një ose më shumë kontrolle të legenit.
Këto kontrolle mund ta ndihmojnë atë të konfirmojë pozicionin e fetusit brenda mitrës: me kokë, këmbë apo të ndenjura poshtë. Shumica e fetuseve pozicionohen me kokë poshtë. Me afrimin e ditës së lindjes, mjeku mund të përdorë terma si “stacionimi” dhe “pjesët e ekspozuara”. Ky i fundit është termi mjekësor që përdoret për pjesën e trupit të fetusit që është vendosur në legen, kurse termi “stacionim” shpjegon se sa poshtë është pjesa e ekspozuar. Gjatë ekzaminimeve të legenit, mjeku mund të kontrollojë qafën e mitrës për të parë se sa është zbutur, zgjeruar dhe holluar. Ky informacion do t’ju përcillet në numra dhe në përqindje. Për shembull, mjeku mund t’ju tregojë që ju jeni hapur 3 centimetra, si dhe qafa e mitrës është holluar 30 për qind.
Kur fetusi të jetë gati për të dalë, qafa e mitrës zgjerohet 10 centimetra dhe hollohet 100 për qind. Gjithsesi, mos u besoni shumë këtyre shifrave! Qafa e mitrës mund të rrijë për disa javë e hapur deri në 3 centimetra ose dhimbjet e lindjes mund t’ju fillojnë pa u shoqëruar me asnjë zgjerim apo hollim të mitrës. Megjithatë, matjet e mitrës e lejojnë mjekun të vendosë nëse lindja duhet stimuluar, sigurisht nëse kjo është e nevojshme.
Kur duhet të telefononi?
Gjatë muajit të fundit të shtatzënisë, shenjat dhe simptomat e mëposhtme kërkojnë kujdesin e menjëhershëm të mjekut.
Hemorragji vaginale. Nëse gjatë këtij muaji keni gjakderdhje më shumë se një apo dy pika, merrni menjëherë në telefon mjekun. Kjo mund të jetë një shenjë e shkëputjes së placentës nga muret e mitrës dhe një problem serioz. Mos e ngatërroni këtë lloj gjakderdhjeje me atë që keni pasur pas kontrolleve të legenit apo me rrjedhjen e lëngjeve me ngjyrë të kuqe.
Dhimbje të vazhdueshme dhe të forta barku. Nëse keni dhimbje të forta dhe të vazhdueshme barku, kontaktoni menjëherë mjekun. Edhe pse jo shumë e zakonshme, kjo mund të jetë një shenjë tjetër e shkëputjes së placentës. Nëse përveç dhimbjeve keni temperaturë dhe sekrecione vaginale, ka shumë mundësi që të keni edhe infeksion.
Lëvizjet e pakta të fëmijës. Është normale që përpara lindjes, lëvizjet e fetusit të pakësohen. Duket sikur po çlodhet dhe po mbledh energji për ditën e madhe. Megjithatë, numri i lëvizjeve nuk duhet të pakësohet shumë. Kjo mund të tregojë se diçka nuk shkon si duhet. Për të kontrolluar lëvizjet e fetusit, shtrihuni në anën e majtë dhe numëroni sa herë lëviz ai. Në rast se vini re më pak se 4 lëvizje në orë, telefonojini mjekut.
Çfarë të bëni nëse ka kaluar data e parashikuar e lindjes? Data e lindjes ka ardhur dhe ka kaluar, ndërkohë që ju vazhdoni të jeni ende shtatzënë. Çfarë po ndodh? Në fund të fundit, data është thjesht një supozim apo parashikim i përafërt se kur mund të lindë fëmija. Është krejt normale që ai të lindë një ose dy javë para apo edhe pas datës së caktuar. Në fakt, shtatzënia duhet të vazhdojë edhe dy javë pas datës së caktuar, që të quhet zyrtarisht e vonuar, apo siç njihet ndryshe, të fillojë periudha e pas shtatzënisë. Jeni më të prira të keni një shtatzëni të vonuar, në qoftë se:
– data e fillimit të ciklit tuaj të fundit menstrual, nuk dihet me saktësi.Kësisoj, data e parashikuar për lindjen mund të jetë e gabuar;
-kjo është shtatzënia e parë;
– në rast se keni pasur më përpara shtatzëni të vonuara;
– shtatzënitë e vonuara kanë prirje të ndodhin në familjen tuaj;
– fëmija është djalë.
Rrallëherë, një shtatzëni e vonuar mund të lidhet me problemet e placentës apo edhe të fëmijës. Ju do të vazhdoni me kontrollet edhe nëse shtatzënia vazhdon pas datës së përcaktuar për të lindur. Kështu, mjeku do të vazhdojë të monitorojë shëndetin tuaj dhe të fetusit. Ai do të kontrollojë edhe qafën e mitrës për të parë nëse ka filluar të hollohet dhe të zgjerohet, në pritje të dhimbjeve të lindjes. Në rast se ka kaluar më shumë se një javë që nga data e lindjes, mjeku mund të kontrollojë rrahjet e zemrës së fetusit, përmes një monitori elektronik apo të përdorë kontrollin me ultratinguj për të parë lëvizjet e tij si dhe për të matur sasinë e lëngut amniotik.
Një nxitje e vogël. Ndonjëherë është më mirë që foshnjën ta lindni herët, sesa vonë, veçanërisht nëse mjeku është i shqetësuar për shëndetin tuaj apo të fëmijës, apo kur shtatzënia vazhdon më tepër se dy javë pas datës së caktuar të lindjes.
Pse gjithë ky shqetësim për këto dy javë? Në këtë pikë të shtatzënisë, përmasat e fetusit mund ta ndërlikojnë lindjen natyrale. Në disa raste, plakja e placentës mund të vërë në rrezik aftësinë e fetusit për t’u zhvilluar në mitër. Në rastin e një shtatzënie të vonuar, ndodh që fetusi të thithë mbetje fekalesh, të cilat mund të shkaktojnë probleme me frymëmarrjen ose infeksion pas lindjes. Nëse shtatzënia juaj është e vonuar, mjeku mund të rekomandojë stimulimin e lindjes, duke provokuar dhimbjet. Për ta bërë këtë, mund t’ju japë mjekime që ndihmojnë në zbutjen dhe hapjen e qafës së mitrës. Nëse qesja amniotike është e paprekur, mjeku mund t’i plasë ujërat duke përdorur një grep të hollë plastik. Ky proces nuk është i dhimbshëm, por ju mund të ndieni ujin që ju rrjedh poshtë. Nëse është e nevojshme, mund t’ju jepen edhe barna për të nxitur kontraktimet. Një zgjedhje e zakonshme është hormoni pitocinë, një variant sintetik i hormonit oksitocinë, i cili shkakton kontraktime të mitrës. Doza mund të përshtatet për të rregulluar elasticitetin dhe shpeshtësinë e kontraktimeve tuaja.